Shtëpia e Bardhë ngjalli shqetësim me deklaratën se presidenti Donald Trump po shqyrton opsione për marrjen nën kontroll të Groenlandës, përfshirë edhe përdorimin e mundshëm të forcës ushtarake, duke ringjallur kështu ambicien e tij për të kontrolluar ishullin strategjik, pavarësisht kundërshtimeve nga Evropa.

“Trump e sheh marrjen e Groenlandës si një prioritet të sigurisë kombëtare, të nevojshëm për të penguar kundërshtarët tanë në rajonin e Arktikut. Presidenti dhe ekipi i tij po diskutojnë një sërë mundësish për të ndjekur këtë qëllim të rëndësishëm të politikës së jashtme dhe, sigurisht, përdorimi i ushtrisë është gjithmonë një opsion në dispozicion të komandantit të përgjithshëm”-, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë.

Ndërkohë, “Wall Street Journal” shkruan se Sekretari i Shtetit, Marco Rubio u ka thënë ligjvënësve se kërcënimet e fundit të administratës ndaj Groenlandës nuk nënkuptojnë një pushtim të afërt dhe se synimi është blerja e ishullit nga Danimarka. Deputeti republikan Don Bacon i bëri thirrje administratës Trump të ndalojë shprehjet e hapura për marrjen e Groenlandës.

“Mënyra se si po i trajtojmë është vërtet fyese dhe nuk ka asnjë përfitim,”- tha Bacon për CNN.

Burime nga administrate amerikane pohojnë se ishulli është jetik për SHBA-në për shkak të depozitave të mineraleve me rëndësi për teknologjinë e lartë dhe përdorimet ushtarake. Këto burime mbeten të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, infrastrukturës së kufizuar dhe sfidave të tjera.