Çmimet ndërkombëtare të naftës kanë kaluar pragun e 100 dollarëve për fuçi, duke u rritur me mbi 25% brenda pak ditësh, ndërsa tregjet globale reagojnë ndaj përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme dhe frikës për ndërprerje të furnizimit.

Sipas raportimeve të agjencisë Reuters, kjo është rritja më e fortë e çmimeve që nga kriza energjetike e vitit 2022. Nafta e referencës globale Brent crude oil është rritur në mbi 108–116 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane West Texas Intermediate ka kaluar 105 dollarë për fuçi, pasi tensionet në rajonin e Gjirit kanë rritur rrezikun për furnizimin global.

Tregjet janë veçanërisht të ndjeshme për shkak të situatës rreth Gjirit të Hormuz, një korridor detar nga i cili kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë. Çdo ndërprerje e trafikut të cisternave në këtë zonë mund të reduktojë ndjeshëm ofertën në tregjet globale. Ndërkohë, vendet e G7 po shqyrtojnë një lhedhje të koordinuar në treg të rezervave strategjike të naftës, në bashkëpunim me International Energy Agency, për të frenuar rritjen e çmimeve dhe për të stabilizuar tregun. Sipas raportimeve, disa vende anëtare kanë mbështetur një skenar për lirimin e 300 deri në 400 milionë fuçive naftë nga rezervat emergjente nëse situata përkeqësohet.

Megjithatë, drejtori ekzekutiv i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë, Fatih Birol, ka deklaruar se aktualisht “të gjitha opsionet janë në tryezë, por për momentin nuk ka një vendim për një ndërhyrje kolektive”, duke theksuar se tregu global i naftës ende ka furnizime të mjaftueshme. Analistët paralajmërojnë se nëse konflikti në rajonin e Gjirit vazhdon dhe transporti i naftës mbetet i kufizuar, çmimet mund të qëndrojnë mbi 100 dollarë për fuçi për një periudhë të zgjatur, duke rritur presionin inflacionist mbi ekonominë globale./Monitor.al