Çmimet e naftës kanë shënuar një rënie të fortë në tregjet ndërkombëtare, pas sinjaleve për ulje të tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, zhvillim që ka lehtësuar shqetësimet për furnizimin global me energji.
Nafta Brent, e konsideruar si standardi kryesor në tregjet botërore, humbi mbi 9% të vlerës, duke zbritur në 87.59 dollarë për fuçi, pasi vetëm pak ditë më parë kishte kaluar kufirin e 100 dollarëve për fuçi për shkak të përshkallëzimit të konfliktit.
Lëvizja në treg erdhi pasi përfaqësuesi i SHBA-së në OKB njoftoi se operacionet ushtarake amerikane ndaj Iranit ishin pezulluar për të dytën natë radhazi, në funksion të përpjekjeve diplomatike. Edhe autoritetet iraniane deklaruan se kishin ndërprerë sulmet hakmarrëse në rajon, duke sinjalizuar një ulje të përkohshme të përplasjes.
Përshkallëzimi i mëparshëm i konfliktit kishte shtuar frikën për furnizimet globale, veçanërisht për shkak të rëndësisë strategjike të Ngushticës së Hormuzit, përmes së cilës transportohet rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në nivel botëror.
Në muajt e fundit, çmimet kanë luhatur ndjeshëm. Marrëveshja e mirëkuptimit e arritur në qershor mes SHBA-së dhe Iranit kishte sjellë uljen e çmimit të Brent në rreth 70 dollarë për fuçi, por prishja e armëpushimit në fillim të këtij muaji riktheu pasiguritë dhe e shtyu sërish çmimin mbi 100 dollarë për fuçi.
Presioni mbi tregjet u rrit edhe nga sulmet e kryera nga rebelët Huthi në Detin e Kuq ndaj anijeve që transportojnë naftë, duke shtuar shqetësimet për ndërprerje të zinxhirit të furnizimit me energji.
Deri pasditen e së hënës, nafta Brent tregtohej rreth 90.60 dollarë për fuçi, me një rënie ditore prej më shumë se 6%, ndërsa investitorët vijojnë të ndjekin me kujdes zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme.
