Tregjet globale të energjisë janë tronditur, pasi presidenti amerikan Donald Trump paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do ta godasin Iranin “jashtëzakonisht fort” në javët e ardhshme.
Në një fjalim kombëtar nga Shtëpia e Bardhë, Trump deklaroi se objektivat kryesore ushtarake në Iran janë afër përfundimit, brenda dy deri tre javësh, por njëkohësisht kërcënoi me sulme të mëtejshme, duke rritur ndjeshëm tensionet në Lindjen e Mesme.
Në një mesazh drejtuar kombit mbi konfliktin në Lindjen e Mesme, Trump gjithashtu kritikoi aleatët e SHBA-së lidhur me Ngushticën e Hormuzit: “Ne nuk importojmë naftë përmes Hormuzit; nuk kemi nevojë për të. Vendet që e marrin prej andej, e marrin vetë. Sapo të mbarojë lufta, Ngushtica do të rihapet natyrshëm.
Sipas Presidentit, SHBA-të janë “plotësisht të pavarura nga Lindja e Mesme”, duke shtuar se prania amerikane në rajon ka për qëllim vetëm mbështetjen e aleatëve dhe jo nevojën për burimet e tyre: “Ne jemi atje për të ndihmuar aleatët tanë, nuk kemi nevojë për asgjë që kanë ata.”
Presidenti theksoi se ndryshimi i regjimit nuk ishte objektiv i SHBA-së, megjithatë “eliminimi i udhëheqësve historikë” rezultoi në ardhjen e një lidershipi më të arsyeshëm. Trump paralajmëroi se nëse nuk arrihet një marrëveshje, SHBA-të do të godasin objektet energjetike të Iranit.
Menjëherë pas fjalimit, çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare u rritën me rreth 5%, duke kaluar mbi 105 dollarë për fuçi. Investitorët reaguan me shqetësim, ndërsa tregjet e aksioneve në Azi pësuan rënie.
Një nga arsyet kryesore të pasigurisë mbetet situata në Ngushtica e Hormuzit, një korridor jetik ku kalon rreth 20% e furnizimit global me energji. Kërcënimet për mbylljen apo destabilizimin e saj kanë ndikim të menjëhershëm në çmimet botërore.
Nga ana tjetër, Irani ka mohuar pretendimet se ka kërkuar armëpushim, duke i cilësuar deklaratat e presidentit amerikan si të pavërteta.
Analistët thonë se fjalimi nuk dha një plan të qartë për përfundimin e konfliktit, duke shtuar pasigurinë në tregje dhe në arenën ndërkombëtare.
Në një moment kur tensionet gjeopolitike janë në rritje, ndikimi i drejtpërdrejtë po ndihet jo vetëm në bursat globale, por edhe në çmimet e energjisë që prekin konsumatorët në mbarë botën.
