Hezbollahu ka bërë me dije së fundmi se ka emëruar Naim Qassem-in si pasues të liderit të vrarë nga Izraeli, Hassan Nasrallah. Grupi militant pro-iranian që kontrollon Libanin jugor u shpall “organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ndërsa Bashkimi Europian i ka vendosur në listën e zezë krahun e armatosur, por jo edhe partinë e tij politike.

Këshilli Shura (qeverisës) i Hezbollahut ra dakord të emërojë… Sheikh Naim Qassem si sekretar të Përgjithshëm të partisë. Ne i betohemi Zotit dhe shpirtit të dëshmorit tonë më të lartë e më të çmuar, Sayyed Hassan Nasrallah, dëshmorëve, luftëtarëve të qëndresës islamike dhe popullit tonë të qëndrueshëm, të durueshëm e besnik, se do të punojmë së bashku për të arritur parimet dhe qëllimet e Hezbollahut e për ta mbajtur të ndezur flakën e rezistencës dhe flamurin e ngritur lart derisa ta arrijmë fitoren!

Javët e fundit, Izraeli është duke kryer një fushatë bombardimesh ajrore dhe një pushtim tokësor të Libanit jugor, duke i vënë në shënjestër drejtuesit e Hezbollahut e aftësitë ushtarake të grupit, si përgjigje ndaj sulmeve të shumta raketore prej tij. Këto sulme janë intensifikuar që nga koha kur ushtria izraelite pushtoi Rripin e Gazës, pas një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit, ku vrau mbi 1.200 izraelitë dhe rrëmbeu rreth 250 të tjerë.

Të paktën 60 persona, përfshirë dy fëmijë, u vranë në sulmet e fundit izraelite në Libanin lindor, siç raportoi Ministria libaneze e Shëndetësisë. Në shënjestër, ishin të paktën 12 zona në provincat Baalbek-Hermel e Bekaa, si dhe u raportuan 58 të plagosur. Bilanci nuk është përfundimtar pasi ekipet e shpëtimit ende po heqin rrënojat.

Në një tjetër zhvillim, Londra zyrtare kërkoi që Izraeli të sigurojë se agjencia kryesore e ndihmës që ende vepron në Gaza, të vazhdojë punën e saj. Kështu tha kryeministri britanik Keir Starmer pasi parlamenti izraelit e ndaloi efektivisht. Starmer vuri në dukje se “Mbretëria e Bashkuar është shumë e shqetësuar për miratimin nga Knesseti të dy ligjeve të reja që shpallin “organizatë terroriste” Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punët.