NASA ka nisur një fushatë të re përzgjedhjeje, duke ftuar profesionistë të kualifikuar që të bëhen pjesë e trupës së ardhshme të astronautëve amerikanë. Për kandidatët e përzgjedhur ofrohet një pagë vjetore prej 164,395 dollarësh, ndërsa angazhimi do të lidhet me disa prej projekteve më ambicioze të eksplorimit hapësinor.

Astronautët e rinj pritet të kontribuojnë në planet për rikthimin e njerëzimit në Hënë, krijimin e një baze të përhershme atje dhe përgatitjen e udhëtimeve të para me ekuipazh drejt Marsit.

Afati për dorëzimin e aplikimeve është deri më 3 dhjetor, në orën 23:59 sipas kohës lindore amerikane. Për të kandiduar, aplikantët duhet të jenë shtetas të SHBA-së dhe të kenë të paktën një diplomë master në fusha shkencore ose teknologjike, si inxhinieria, biologjia, fizika dhe informatika.

Një tjetër kriter është përvoja profesionale prej të paktën tre vitesh në një fushë të përshtatshme, si dhe pesë referenca profesionale. Kandidatët duhet të kalojnë gjithashtu testet fizike dhe të dëshmojnë aftësi të mira drejtuese, komunikimi dhe bashkëpunimi.

Personat që do të fitojnë këtë mundësi do t’i nënshtrohen një programi intensiv trajnimi dyvjeçar në Qendrën Hapësinore Johnson në Hjuston. Përgatitja përfshin pilotimin e avionëve reaktivë T-38, përdorimin e pajisjeve robotike, ecjet në hapësirë dhe operacionet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor.

Pjesë e trajnimit do të jetë edhe studimi i sipërfaqes së Hënës dhe përvetësimi i aftësive të nevojshme për misionet në hapësirën e thellë.

Megjithatë, kjo karrierë nuk vjen pa vështirësi. NASA paralajmëron se astronautët mund të përballen me misione që zgjasin një vit ose më shumë, izolim të zgjatur, kushte të vështira jetese dhe periudha të gjata larg familjeve të tyre.

Fushata e fundit e ngjashme u zhvillua në vitin 2024, kur NASA përzgjodhi 10 kandidatë nga mbi 8 mijë aplikime. Me këtë proces të ri, agjencia synon të forcojë ekipin e saj, i cili aktualisht përbëhet nga 32 astronautë aktivë.

Përzgjedhja do të zhvillohet në disa faza, duke nisur me vlerësimin e dokumentacionit. Kandidatët më të spikatur do të ftohen për intervista në Hjuston, ndërsa një pjesë e tyre do të avancojnë drejt fazës së dytë.

NASA e ka shoqëruar thirrjen me një video promovuese në rrjetin social X, nën sloganin “Universi po të thërret”, duke e paraqitur këtë mundësi si një hapësirë për t’u bërë pjesë e historisë së eksplorimit njerëzor.