Për herë të parë në histori nisi në Nuremberg më 20 nëntor 1945 pas Luftës sytë Botërore procesi i parë kundër përfaqësuesve të një regjimi të padrejtë. Fuqitë aleate që kishin fituar mbi Gjermaninë naziste nxorën në bankën e të akuzuarve 21 kriminelë të rangut të lartë gjatë luftës, ndër ta zëvendësin e Adolf Hitlerit, Rudolf Hess, dhe marshallin Hermann Goring.
Proceset gjyqësore të Nurembergut, në të cilat dolën para gjyqit udhëheqësit nazistë ushtruan ndikim të madh në të drejtën ndërkombëtare. Si bazë përproceset gjyqësore të Nurembergut shërbeu një marrëveshje vizionare e së drejtës ndërkombëtare (Karta e Londrës), e cila përcaktoi rregulloren e procesit për gjykatat ushtarake ndërkombëtare dhe amerikane, të ngritura posaçërisht për Proceset e Nurembergut. Karta e Londrës u nënshkrua në 8 gusht 1945 – saktësisht 80 vjet më parë.
Më 24 nëntor 1945, në Nuremberg, një qytet që pak muaj më parë qe shpallur si “90 për qind i vdekur”, 22 burra hynë në Pallatin e Drejtësisë. Ata i kishin nxjerrë para gjyqit për krime, të cilat nuk qenë kryer kurrë më parë. Burrat ishin pjesë e asaj e klike drejtuese që kishte mbetur nga udhëheqja naziste dhe i patën kaluar muajt e mëparshëm të burgosur në një kështjellë në Luksemburg. Ata nuk e dinin se çfarë i priste.
Kreu midis tyre ishte Hermann Goring, ish- Presidenti i Rajshtagut, kryekomandant i Flotës Luftarake Ajrore gjermane dhe pasardhës i mundshëm në post i Adolf Hitlerit. Në korrik 1945, në një konferencë shtypi, kur e pyetën, nëse e dinte që ndodhej në listën e kriminelëve të luftës, Goringu u përgjigj: “Jo. Kjo pyetje më habit, sepse nuk e marr dot me mend se pse mund të ndodhesha në një listë të tillë.”
Goringu nuk kishte idenë për procesin e jashtëzakonshëm e të komplikuar gjyqësor, pjesë e të cilit do të bëhej. Për procesin gjyqësor do të ishte e nevojshme që të hartoheshin nga e para bazat, pikat e aktakuzës dhe dënimet. Ndërtimi i tyre i ngjante pak ndërtimit të një rrjeti të energjisë, ujit dhe ujërave të zeza në Gjermani, punë të cilën aleatët duhet ta nisnin nga zero. Diçka të ngjashme me këto procese gjyqësore nuk kishte pasur kurrë.
Një hap gjigant për gjyqësinë ndërkombëtare
Karta e Londrës ishte rezultat i negociatave të vështira dhe kaotike gjashtëjavëshe, të cilat pas fitores së aleatëve u zhvilluan në një tavolinë katrore në Londër. Forma katrore e tryezës ishte e detyrueshme, në mënyrë që të katra fuqitë aleate të kishin mundësi të dërgonin një numër të barabartë përfaqësuesish në delegacion, shkruajnë Ann dhe John Tusa për proceset e Nurembergut në librin “The Nuremberg Trial”.
Britanikët qenë mikpritësit dhe i udhëhiqnin negociatat, por nuk kishte asnjë dyshim se cila nga katër fuqitë i nxiste të gjitha – SHBA ishin ato që patën idenë për t’i nxjerrë para gjyqit drejtuesit nazistë. Amerikani Robert Jackson ishte prokurori drejtues në proceset e Nuembergut. Ai dhe homologu i tij rus, gjenerali Iona Nikitçenko, i cili ishte gjykatës në proces, u përfshinë shpesh në mosmarrëveshje juridike, që avancuan në grindje. Të dyja palët e akuzonin njëra-tjetrën për synime keqdashëse.
Ideali dhe realiteti
Në fund të negociatave në Londër u ra dakord për katër pika të aktakuzës kundër 22 kriminelëve nazistë: krime kundër paqes, plan i përbashkët ose komplot, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Jackson kërkoi edhe që lufta të përkufizohet si krim universal dhe që bazat e hedhura në Nuremberg të vlenin më vonë për të gjitha palët. Por ëndrra e tij nuk u plotësua: Nurembergu mbeti një gjyq krejtësisht ushtarak, i cili u ngrit posaçërisht për të dënuar regjimin nazist.
Dymbëdhjetë dënime me vdekje dhe shtatë dënime me burg
Procesi përpara Gjykatës Ndërkombëtare të Nurembergut zgjati rreth një vit dhe përfundoi me dymbëdhjetë dënime me vdekje, shtatë dënime me heqje lirie dhe tri shpallje pafajësie.
Nazistët me poste drejtuese nuk shprehën aspak pendesë dhe fajin ia ngarkonin vetëm Hitlerit. Ky i fundit nuk mund të ngarkohej më me akuzë, sepse ditët e fundit të luftës kishte kryer vetëvrasje.
Dëshmitë ishin tronditëse. Filmat nga kampet e përqendrimit. Deponimet e dëshmitarëve të mbijetuar. Letra dhe urdhra të dorasve. Për herë të parë bota pa, se çfarë mizorish kishin ndodhur në kampet e Aushvic-Birkenau, Buhenvald ose Bergen-Belsen.
Ndjenja e fajit dhe e pendesës
Në vitin 1945 shumica e gjermanëve nuk ishin të gatshëm të pranonin fajin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe megjithë vendimet e diferencuara të marra nga trupi gjykues shumica e gjermanëve e konsideronin këtë proces, si “drejtësi të fituesve ndaj të mundurve”.
Gjermania vazhdon ta mbajë të gjallë kujtimin për mizoritë e periudhës naziste – veçanërisht në kohërat e sotme, kur antisemitizmi dhe ekstremizmi i djathtë po shtohen përsëri në Evropë. /DW/
