Një lajm i hidhur ka tronditur ndjekësit e influencers braziliane Maria Eduarda Alves dos Santos, e njohur në TikTok si Duda Alves. 22-vjeçarja është ndarë papritur nga jeta, duke lënë pas qindra mijëra ndjekës që e ndiqnin për përmbajtjet e saj në rrjetet sociale.

Duda kishte krijuar një komunitet prej më shumë se 750 mijë personash në TikTok, ku publikonte video nga jeta e përditshme, histori personale dhe materiale me karakter humoristik.

Familjarët dhe miqtë e saj kanë konfirmuar lajmin e ndarjes nga jeta përmes rrjeteve sociale. Ndërkohë, autoritetet në Brazil kanë nisur hetimet për të përcaktuar rrethanat e sakta të vdekjes. Mes pistave që po shqyrtohen është edhe ajo e vetëvrasjes, por deri tani nuk ka një përfundim zyrtar për shkakun.

Vetëm pak javë para vdekjes, 22-vjeçarja kishte ndarë me ndjekësit detaje mbi një ndërhyrje kirurgjikale për ngritjen dhe riformësimin e gjoksit.

Ajo kishte treguar se vendimi për mastopeksinë ishte marrë për arsye estetike, por edhe për shkak të shqetësimeve fizike që kishte përjetuar. Sipas saj, ndërhyrja i kishte mundësuar të ndihej më rehat me trupin dhe veshjet e saj.

Pas lajmit tragjik, miqtë dhe të afërmit e Duda Alves kanë publikuar mesazhe të shumta lamtumire.

Mikja e saj, Sara Mahdavi, e përshkroi 22-vjeçaren si një person shumë të rëndësishëm në jetën e saj, ndërsa kushërira Geovana Alves tha se kishte pasur fatin ta njihte për pjesën më të madhe të jetës.

Edhe një tjetër mike, Clarissa Pavie, e kujtoi Dudën për karakterin e saj humoristik dhe mënyrën autentike të të shprehurit.

Ceremonia mortore u zhvillua të martën në një kishë në São Paulo. Gjatë ceremonisë, babai i të resë falënderoi njerëzit që qëndruan pranë familjes në këto momente të vështira.

Ndërkohë, hetimet vijojnë për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e vdekjes së 22-vjeçares.