Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë thirrje për masa më të forta kundër Rusisë dhe Kinës, gjatë një takimi me udhëheqës të vendeve evropiane që mbështesin Ukrainën.

Trump kërkoi që Evropa të ndalojë plotësisht blerjen e naftës nga Rusia, pasi kjo e fundit vazhdon të përfitojë miliarda euro nga shitja e karburanteve, të cilat i përdor për të financuar luftën në Ukrainë.

“Rusia ka marrë mbi 1.3 miliardë dollarë nga shitja e karburanteve në BE në vetëm një vit,” thuhet në deklaratën e një zyrtari amerikan për median The Post.

Ai shtoi se edhe Kina duhet të përballet me presion ekonomik, sepse ka ndihmuar Rusinë duke i dërguar pajisje teknologjike ushtarake, si pjesë për avionë luftarakë dhe sisteme navigimi për helikopterë.

Kina është vendi që blen më shumë naftë nga Rusia, ndërsa pas saj vjen India. Për këtë arsye, javën e kaluar Trump vendosi një tarifë shtesë prej 50% ndaj Indisë, si ndëshkim për vazhdimin e blerjes së naftës ruse.

Megjithatë, deri tani nuk janë vendosur sanksione të rënda ndaj vendeve që vazhdojnë bashkëpunimin me Rusinë në fushën e energjisë.

Disa vende të BE-së, si Hungaria dhe Sllovakia, vazhdojnë të blejnë naftë nga Rusia, pasi morën përjashtim nga sanksionet për shkak të varësisë së lartë energjetike.

Por edhe vende që janë kritikë të Kremlinit – si Franca, Belgjika dhe Spanja – kanë vazhduar të importojnë gaz natyror të lëngshëm (LNG) nga Rusia. Vetëm gjatë vitit 2024, importet e LNG-së nga Rusia u rritën me 18%, sipas një raporti të publikuar nga IEEFA.

Shtetet e Bashkuara janë furnizuesi më i madh i LNG-së për Evropën, dhe kanë shprehur gatishmërinë të rrisin furnizimin nëse BE vendos të shkëputet plotësisht nga energjia ruse.

Bashkimi Evropian ka propozuar një projektligj për të ndaluar të gjitha blerjet e naftës ruse deri më 1 janar 2028, por ligji nuk është ende miratuar.

Një burim nga BE tha se deklaratat e Trump nuk janë kritika, por një formë mbështetjeje për përpjekjet që Evropa po bën për t’u shkëputur nga Rusia.

Trump përfundoi duke paralajmëruar për rrezikun që paraqet bashkëpunimi midis Kinës dhe Rusisë, duke e quajtur atë një kërcënim serioz për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë.