Autoritetet portugeze kanë arrestuar katër persona pasi ndaluan një nëndetëse në Oqeanin Atlantik, që transportonte më shumë se 1.7 tonë kokainë drejt gadishullit Iberik.
Sipas zyrtarëve, mjeti u lokalizua dhe u sekuestrua gjatë ditëve të fundit, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë momentin kur policia dhe marina portugeze e rrethojnë dhe hipin në bord, duke sekuestruar lëndën narkotike të klasës A dhe arrestuar ekuipazhin me katër anëtarë, të gjithë me origjinë nga Amerika e Jugut.
Policia njoftoi se të arrestuarit dy ekuadorianë, një venezuelas dhe një kolumbian, janë lënë në paraburgim pas paraqitjes në gjykatë në ishujt Azore të martën. Shefi i njësisë portugeze kundër trafikut të drogës, Vítor Ananias, deklaroi në një konferencë për shtyp se kombësitë e ndryshme të të dyshuarve tregonin se organizata që qëndron pas tyre nuk vepron vetëm nga një vend i vetëm.
Qendra për Analizë dhe Operacione Detare (MAOC), me seli në Lisbonë, kishte marrë ditët e fundit informacione se një organizatë kriminale po përgatiste nisjen e një nëndetëseje të ngarkuar me kokainë, e destinuar për tregjet evropiane.
Pak ditë më vonë, një anije portugeze arriti të lokalizonte mjetin rreth 1 mijë milje detare (rreth 1.850 kilometra) nga brigjet e Lisbonës, në një operacion të mbështetur nga Agjencia Kombëtare Britanike e Krimeve dhe Administrata Amerikane Kundër Drogës (DEA).
Sipas marinës, pas sekuestrimit, mjeti nuk mund të tërhiqej drejt bregut për shkak të motit të keq dhe strukturës së tij të brishtë, ndaj më vonë u fundos në det të hapur.
“Mes nxehtësisë, avujve të karburantit dhe dallgëve të larta, qëndrimi në bord është jashtëzakonisht i vështirë. Pas 15 apo 20 ditësh, gjithçka që dëshiron është të shpëtosh,” tha Ananias për gazetarët.
Sipas tij, raste të tilla janë bërë të përsëritura vitet e fundit. Në mars të këtij viti, një tjetër mjet i ngjashëm që transportonte 6.5 tonë kokainë u ndalua rreth 1 mijë e 200 milje detare nga Lisbona.
Ngjarja ndodh në një kohë kur administrata amerikane e ish-presidentit Donald Trump ka intensifikuar goditjet ndaj mjeteve që dyshohen se përdoren për trafik droge drejt SHBA-ve.
Vetëm javën e kaluar, tre persona u vranë në një sulm amerikan ndaj një mjeti të dyshuar për trafik droge në Karaibe, bëri të ditur sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth.
Veprimet e tilla kanë ngjallur debat për ligjshmërinë e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare dhe janë kritikuar ashpër nga liderë të Amerikës Latine, qytetarët e të cilëve janë mes viktimave të këtyre operacioneve.
