Këshilli Kombëtar i Austrisë ka miratuar sot ndalimin e shamisë së kokës për vajzat nën 14 vjeç, në ambientet e shkollave. Të gjitha partitë votuan pro këtij vendimi, me përjashtim të të “Gjelbërve” të cilët u shprehën kundër. Tashmë, pritet që ndalimi i shamisë të miratohet në votim të plotë parlamentar.

Një përpjekje e ngjashme u ndërmor edhe në 2020-tën, kur koalicioni i atëhershëm qeverisës i qendrës së djathtë i Partisë Popullore Austriake (ÖVP) dhe Partisë së Lirisë së Austrisë (FPÖ) votoi për ndalimin, siç kujton DW, por tentativa dështoi para Gjykatës Kushtetuese, sepse ligji në atë kohë shkelte parimet e trajtimit të barabartë dhe lirisë fetare.

Qeveria në atë kohë nuk kishte dhënë justifikime të mjaftueshme për legjislacionin e saj. Por situata tani ka ndryshuar sipas Ministrit të Arsimit, Christoph Wiederkehr, i cili insiston se shqetësimet kushtetuese janë marrë parasysh dhe se vendimi do të aprovohet.

Shkollat ​​synojnë ta zbatojnë në mënyrë strikte ndalimin e shamisë në lidhje me prindërit. Në rast shkeljeje, së pari do të ketë një takim. Nëse prindërit megjithatë vazhdojnë t’i dërgojnë vajzat e tyre në shkollë me shami, ato mund të përballen me gjoba midis 150 dhe 800 eurove ose, si alternativë, me burgim deri në dy javë.