Mbrëmja e parë gjysmëfinale e Eurovision Song Contest 2026 është shoqëruar me tensione dhe protesta pro Palestinës gjatë performancës së përfaqësuesit izraelit, Noam Bettan, në skenën e festivalit që po mbahet në Vjenë.

Teksa artisti 28-vjeçar interpretonte këngën “Michelle”, nga një pjesë e publikut u dëgjuan thirrje politike kundër Izraelit, përfshirë sloganin “Ndaloni gjenocidin”. Në të njëjtën kohë, mbështetës të këngëtarit brohorisnin emrin e tij, duke krijuar një atmosferë të tensionuar në sallë.

Sloganet u transmetuan drejtpërdrejt edhe gjatë transmetimit televiziv, ndërsa televizioni publik austriak ORF bëri të ditur se nuk do të censuronte reagimet e audiencës gjatë performancave.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se një protestues pro-palestinez u arrestua brenda arenës, ndërsa organizatorët e Eurovisionit konfirmuan se katër persona u larguan nga salla për shkak të ndërhyrjeve dhe thirrjeve politike gjatë spektaklit.

Në reagimin e saj, European Broadcasting Union deklaroi se një person pranë zonës së mikrofonëve të publikut kishte bërtitur vazhdimisht slogane politike para dhe gjatë performancës së Izraelit, duke shqetësuar audiencën dhe zhvillimin normal të shfaqjes.

Pavarësisht incidenteve dhe klimës së tensionuar, Izraeli siguroi një vend në finalen e madhe të Eurovisionit së bashku me nëntë shtete të tjera.

Edicioni i këtij viti i festivalit po shoqërohet me debate të forta politike dhe reagime ndaj situatës në Gaza. Sipas raportimeve, pesë shtete kanë vendosur të bojkotojnë kompeticionin, mes tyre edhe Irlanda, një nga vendet me më shumë fitore në historinë e Eurovisionit.