Ish sekretari amerikan i Mbrojtjes, Donald Rumsfeld, një nga arkitektët kryesorë të luftës në Irak dhe Afganistan ka vdekur në moshën 88 vjeçare, njoftoi familja e tij.
Duke shërbyer nën Presidentin George W. Bush, ai ishte një ithtar kryesor i “luftës kundër terrorizmit” të administratës amerikane me fushata ushtarake të përqëndruara në Afganistan, Irak dhe vende të tjera të lindjes së Mesme.
Forcat amerikane filluan një fushatë në Afganistan pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, me argumentin se ishte shndërruar në bazë të Al Kaedas dhe Osama Bin Ladenit.
Në vitin 2003 SHBA pushtoi Irakun me pretendimin se Sadam Husein zotëronte armë të shkatërrimit në masë, të ndaluara nga ligjet ndërkombëtare. Këto pretendime nuk u provuan asnjëherë.
Rumsfeld dha dorëheqjen në 2006 mes trazirave në Irakun e pasluftës dhe protestave kundër kesaj lufte, por ai i mbrojti deri në fund dy vendimet e marra.