Në katër vite duke punuar si antropologe forenzike, Esma Alicehajic ka marrë pjesë në dhjetëra zhvarrosje në Srebrenicë, dhe thotë se nuk e lejon kurrë veten të ndihet emocionale kur punon me një varr masiv.


Alicehajici ka marrë pjesë në 50 zhvarrosje të varreve masive në Bosnjë dhe Hercegovinë, që kur ka filluar të punojë për Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, ICMP, në vitin 2008.


Ende e mban mend herën e parë që punoi në një varr masiv në fshatin Pusmilici, në jug të Srebrenicës.


“Para se të arrija, mbaj mend që isha e shqetësuar nëse do të mund të përballoja anën emocionale të çfarë do të filloja të bëja”, tha Alicejahici.


“Sidoqoftë, pesë muajt e parë në punë në ICMP ishin për t’u përgatitur për këtë moment. U bë shpejt e dukshme që kur u përfshiva në  punë, dëshira për të bërë një punë profesionale ishte prioritet”.


Alicehajici tregon se bindja e saj për të qenë profesioniste është kaq e fortë, sa emocionet nuk luajnë asnjë rol në punën e saj, edhe kur shikon kockat e fëmijëve të gjetura në varre masive afër Srebrenicës.


“Është vetëm kur familjet vijnë për të vizituar varret dhe sytë e mbushur me dhimbje të një gruaje që kërkon për djalin e saj, babanë, bashkëshortin  ose vëllanë, që ia lejoj vetes të ndjej për ngjarjet e tmerrshme në Srebrenicë, por vetëm për një sekondë të shkurtër. Pastaj i kthehem arkeologjisë dhe antropologjisë forenzike. Moslënia e emocioneve të influencojnë punën time është mënyra më efektive që mund të ndihmoj familjet”, thotë ajo.


ICMP-ja ka marrë pjesë në zhvarrosjen e më shumë se 50 varreve masive të mëdha, të lidhura me rënien e Srebrenicës. Përmes një qasjeje të planifikuar me kujdes, që përfshin gërmimin arkeologjik të varreve, analiza antropologjike të eshtrave dhe AND-së, ICMP-ja ka gjetur identitetin e mbi 6,704 individëve që raportohen si të zhdukur nga rënia e Srebrenicës, më 1995.


Në një varr tipik masiv, Alicehajici thotë se puna e saj është të mundësojë praktikën më të mirë në arkeologji forenzike, antropologji forenzike, dhe menaxhim të skenës së krimit, përmes detyrave si zbulimin e vendit, gjetjen e varreve dhe përcaktimi i kufijve të varrit.


Në intervistën e saj për BIRN-in, Alicehajici thotë se është krenare që puna e saj ka të bëjë me  gjetjen e personave të zhdukur, që ndihmon familjet.


“Po ndërtojmë një të ardhme më të mirë, duke zgjidhur të shkuarën. Shpresa ime është që familjet e atyre që kanë vdekur do të gjejnë më në fund pak ngushëllim, duke mësuar fatin e të dashurve e tyre, dhe se puna jonë do të parandalojë që diçka e ngjashme të përsëritet diku tjetër në botë”, shtoi ajo.


Sipas Alicehajicit, një tipar dallues i varreve masive në Srebrenicë është fakti që ka shumë varre masive dytësore, ku trupat janë lëvizur muaj pas varrimit të tyre fillestar në varret masive parësore.


Ajo shpjegon se përpjekjet nga autorët e krimeve për të fshehur vendndodhjen e eshtrave ka shkaktuar fragmentimin e tepërt të trupave. Dhe përzierja e elementeve të skeleteve nga individë të ndryshëm e bën këtë një sfidë të madhe forenzike për ICMP-në.


“Procesi i identifikimit kërkon ribashkimin e pjesëve të trupit të ndara të një individi, shpesh nga varre të ndryshme dytësore, si dhe përputhja e AND-së së familjes për të gjetur identitetin”.


Sipas aktgjykimeve nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime në Ish-Jugosllavi, Gjykata e Bosnjës dhe e Hercegovinës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, forcat serbe të Bosnjës kryen gjenocid në korrik të vitit 1995, ku sulmuan enklavën e mbrojtur nga OKB-ja në Srebrenicë, dhe vranë në vijim më shumë se 7,000 burra dhe djem.


Marrë nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan