Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka reaguar nga OKB-ja ndaj ceremonisë së organizuar në Beograd për Ratko Mlladiqin, duke deklaruar se nderimet e bëra ndaj tij bien ndesh me respektin për viktimat dhe vendimet e drejtësisë ndërkombëtare.
Duke folur për procesin e pajtimit në Ballkanin Perëndimor, Plenkoviç argumentoi se përmirësimi i marrëdhënieve mes vendeve të rajonit nuk mund të ndahet nga mënyra se si trajtohen krimet e së kaluarës. Sipas tij, pranimi i përgjegjësisë dhe shmangia e glorifikimit të personave të dënuar për krime lufte janë elemente të rëndësishme të këtij procesi.
“Mendoj se nderimet ushtarake dhe zyrtare që iu dhanë Mlladiqit në Serbi ishin fyerje për viktimat e tij dhe për aktgjykimet e gjykatave ndërkombëtare”, deklaroi kryeministri kroat.
Plenkoviç iu referua gjithashtu dënimit të Ratko Mlladiqit nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocidin në Srebrenicë dhe krime të tjera gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai shtoi se aktiviteti i Mlladiqit gjatë konflikteve të viteve ’90 kishte përfshirë edhe territorin e Kroacisë.
Në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë kroate përsëriti mbështetjen e Zagrebit për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, sipas tij, rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian duhet të shoqërohet edhe me një përballje të qartë me trashëgiminë e konflikteve të së kaluarës.
