Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky është takuar me Papa Leoni XIV pas Meshës së inaugurimit të tij.

Papa ka ofruar Vatikanin si vend për të pritur bisedimet e paqes midis Ukrainës dhe Rusisë. Në një reagim pas takimit, Zelensky ka deklaruar se zëri i Selisë së Shenjtë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përfundimin e luftës.

“Autoriteti dhe zëri i Selisë së Shenjtë mund të luajnë një rol të rëndësishëm në përfundimin e kësaj lufte. Ne e falënderojmë Vatikanin për gatishmërinë e tij për të shërbyer si një platformë për negociata të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë”, tha presidenti ukrainas.

Ai e përsëriti faktin se Ukraina është e gatshme për çdo dialog me qëllim që t’i jepet fund luftës.

“Ne jemi të gatshëm për dialog në çdo format për hir të rezultateve të prekshme. Ne e vlerësojmë mbështetjen për Ukrainën dhe zërin e qartë në mbrojtje të një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme”, shtoi  Zelensky.