Të tjera detaje tronditëse kanë dalë rreth abuzimeve seksuale dhe përdhunimeve të kryera nga 40-vjeçari shqiptar, i arrestuar pak ditë më parë në Greqi.

Ai akuzohet për disa përdhunime të ndryshme përgjatë një harku të caktuar kohor dhe sipas burimeve nga mediat greke, ishte kthyer në “makth” për shumë vajza dhe gra të zonës së Nicës në Greqi.

Ai u prangos pas tentativës së fundit për përdhunim dhe rrahjes brutale ndaj një 20-vjeçareje, ku pamjet janë regjistruar edhe nga kamerat e sigurisë.

Kujtojmë se në vitin 2018 shqiptari u arrestua në Selanik për tentativë përdhunimi të një gruaje dhe u lirua nga burgu në Grevena në prill të 2022.

Ditën e sotme mediat greke kanë publikuar videon nga momenti kur e reja kërkon me dëshpërim ndihmë nga komshinjtë duke i rënë ziles së derës e duke bërtitur me të madhe: Ndihmëëë, më ndihmoni para se të vijë prapë ai, më ka thyer kokën nga goditjet.

Momentet e makthit që ka jetuar nga duart e shqiptarit të pamëshirshëm kur ai tentoi ta përdhunonte në një rrugë në Nice mbrëmjen e së shtunës, vajza 20-vjeçare, e cila u shpëtua pasi arriti t’i rezistonte, ndodhi vetëm 3 minuta larg banesës së saj.

“Sulmi ndodhi tre minuta larg shtëpisë sime. Unë isha ulur nën një ballkon derisa shiu pushoi dhe ai ishte para meje. E pashë, kishte shumë plagë në fytyrë. Kishim të njohur të përbashkët dhe dija disa gjëra për këtë njeri. Mënyra se si ai po më shikonte më trembi. E kuptova se kush ishte dhe u tremba shumë”, rrëfen e reja.

“Kur nisa të largohesha, nuk e kuptova se kur erdhi nga pas, kur papritmas ndjeva një dorë që më mbylli gojën dhe hundën dhe filluam të ziheshim, pavarësisht terrorit që pata në atë moment. Një grua dëgjoi britmat e mia, unë bërtita “ndihmë” ndërsa ai më godiste në kokë. Më kujtohet kur ai pushoi së godituri, unë vrapova, pavarësisht goditjeve në fytyrë. Koka më është fryrë, syri, vetulla më janë fryrë të gjitha”, vijon ajo.