Profili i Kryeministrit të Serbisë


Ivica Daçiç mund të japë përshtypjen e një spontaniteti nën ndikimin e alkoolit – por ai është më kalkulant sesa paraqitet.


“Kosova është e juaja aq sa është e imja”. Kështu kishte thënë Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç – i cili është i lindur në Kosovë – derisa i drejtohej homologut të tij, Hashim Thaçi, në një takim të papritur në Bruksel, më 19 tetor.  Ngjarja është parë si historike në Ballkan, pasi Daçiçi është lideri i parë serb që e takon një lider shqiptar të Kosovës që kur kjo e fundit deklaroi pavarësinë – një lëvizje që Serbia fuqimisht e konteston dhe që ka thënë se nuk do ta njohë kurrë. Paradoksalisht, muaj më parë, në prag të zgjedhjeve serbe të përgjithshme të majit, Daçiç luante kartën e populistit për Kosovën. Në atë kohë ai jepte urdhra shumë kontroversë arrestimesh ndaj shqiptarëve të Kosovës si ministër i brendshëm në ish-qeverinë e udhëhequr nga demokratët e Boris Tadiçit.


“Nuk jam aq fetar sa t’ia ofrojë dikujt faqen për të më mëshuar; ai që sjell do të marrë përgjigje”, thoshte ai atëherë, duke iu referuar shqiptarëve të Kosovës. Fjalët e Daçiqit që kënaqnin turmën ishin një prej faktorëve përse socialistët dolën mirë në zgjedhje, ku ata fituan 16 për qind të votave, duke u ngritur në krahasim me 7.85 për qind që kishin marrë më 2008. Daçiç si rrjedhojë u bë Kryeministër i ri Serbisë. Por, përderisa në publik Daçiçi dëshiron të japë përshtypjen e spontanitetit, duke u dehur e duke rrëmbyer mikrofona dhe duke thënë gjëra kontroverse, gafat e tij i ndajnë vëzhguesit politikë.


Përderisa disa i hedhin poshtë shpërthimet e tij si pasojë e alkoolit të shumtë, të tjerët i shohin gafat e tij si pjesë të një strategjie mirë të menduar politike. “E dini atë thënien se ‘ka të vërtetë në venë/in vino veritas’”, analisti Vladimir Goati i tha Gazetës Jeta në Kosovë, duke iu referuar politikave të improvizuara të Daçit sikurse edhe sjelljeve të çuditshme e këndimeve në skenë të tij. Por Zoran Stojiljkoviç, profesor i shkencave politike në Universitetin e Beogradit, i cili ishte asistent-profesor në kohën kur Daçiçi ishte student, thotë se Kryeministri është politikan i zgjuar i cili e di si të jetë anën fituese. “Daçiçi është një prej politikanëve më të talentuar dhe krijues në Serbi”, i tha ai gazetës “Jeta” në Kosovë.


Si studenti më i mirë i shkencave politike në gjeneratën e tij në universitet, Daçiçi iu bashkua si i ri Partisë Socialiste të Serbisë të udhëhequr nga Sllobodan Millosheviçi dhe si 24-vjeçar, më 1990, u bë presidenti i parë i socialistëve të rinj. Gjatë të nëntëdhjetave, derisa Millosheviçi qe i palëvizshëm në pushtet dhe duke nxitur nacionalizmin serb për të ngritur një Serbi të Madhe nën rrënojat e Jugosllavisë, Daçiçi ishte një luajal i vendosur, duke shërbyer si zëdhënës i partisë, si dhe deputet në Parlament. Po kur Millosheviçi ra dramatikisht më 2000, Daçiçi e ndërroi me shpejtësi disponimin.


Pasi e mori lidershipin e Partisë Socialiste, kur Millosheviçi vdiq më 2006, ai ndryshoi politikat, duke hedhur ideologjinë luftësjellëse dhe duke përqafuar pa rezervë rrugën pro-europiane. Jovan Zivkoviç, drejtues i Qendrës së Politikave Rajonale, beson se Daçiçi gjithmonë ka qenë pragmatik dhe se pragmatizmi i tij është arsyeja kryesore prapa lëvizjeve dhe deklaratave të tij që nuk kanë një linjë vazhdimësie.


“Ne nuk kemi një Kryeministër që vepron në interes të publikut, por një njeri që gjithmonë mendon vetëm për të mbajtur pushtetin”, Zivkoviç i tha gazetës “Jeta” në Kosovë. Më 2008, socialistët e reformuar hynë në qeveri dhe Daçiçi u bë ministër i Brendshëm dhe partner vendimtar i Presidentit Boris Tadiç, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në qeveri, Daçiçi i përshtati pikëpamjet e tij me subjektet tjera, përveç sa i përket nacionalizmit serb.


Derisa Beogradi u përpoq të përmirësonte të dhënat e veta për gjendjen e të drejtave të njeriut me qëllim të marrjes së statusit të kandidatit për BE – dhe derisa BE filloi të insistonte për më shumë respekt për të drejtat e komunitetit homoseksual në kuadër të tyre – Daçiçi ndihmoi aktivistin për të drejtat e homoseksualëve, Boris Miliceviç, që të zgjidhej në kryesinë e Partisë Socialiste. Daçiç pastaj u tregua befasisht fleksibil në temën emocionale të Kosovës, një çështje kyç që duhet të zgjidhet për agjendën europiane të Serbisë. Posa Serbia dhe Kosova filluan bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja në pranverë 2011, Daçiç e shkundi skenën politike serbe duke përbuzur politikën e linjës së ashpër të dikurshme të partisë së tij për Kosovën.


“Kam qenë në një qeveri që u përpoq të ruante Kosovën me armë dhe ajo dështoi”, tha ai, duke iu referuar përpjekjes së Millosheviçit për të shtypur shqiptarët e Kosovës me armë – që në mënyrë spektakolare patën efekt të kundërt duke shkaktuar intervenimin e NATO-s. “Ka ardhur koha për një marrëveshje përfundimtare në këtë temë”, tha ai.


Shumë shpejt më pas, në mars 2012, Serbia mori statusin e kandidatit për BE që e ka synuar gjatë. Por, më vonë atë muaj, me kandidaturën për BE në çantë dhe fushatën zgjedhore duke ardhur, Daçiç ndryshoi retorikën e tij për Kosovën edhe një herë, duke thënë se Serbia do të luftonte për Kosovën nëse është e domosdoshme. Qasja e tij favorizuese për homoseksualët gjithashtu u zhduk gjatë kohës sa zgjati fushata elektorale. Më vonë atë muaj, përpara një parade krenarie të homoseksualëve, që në fund ishte anuluar, Daçiç tha në Beograd: “Ç’të duhet Bashkimi (Europian) për të cilin paradat e krenarisë të homoseksualëve janë biletë hyrjeje”.


Zyrtarët europianë duken të gatshëm për të vënë dorë në nuancimet e ndryshimet e bashkëbiseduesit të tyre donkishotesk në Beograd. Më 30 tetor, Jelko Kacin, raportuesi i Parlamentit Europian për Serbinë, tha se qeveria e udhëhequr nga Daçiçi ka kapacitetin për të adresuar temat më të rëndësishme për agjendën europiane.


Ai gjithashtu tha se ishte impresionuar nga përkushtimi i Daçiçit për të punuar me Serbinë në lidhje me BE-në dhe me takimin historik me Thaçin në Bruksel. Normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën mbetet një parakusht për Serbinë në progresin e saj të mëtejmë drejt BE-së. “Ishte mesazhi i duhur në kohën e duhur”, Kacin i tha agjencisë serbe Tanjug, duke iu referuar takimit historik në Bruksel.