Një gjykatë në Los Angeles ka shpallur fajtorë kompanitë Meta dhe YouTube, pasi u akuzuan se kishin ndikuar në varësinë e një vajze të re dhe kishin dëmtuar shëndetin e saj mendor.

Vendimi historik mund të shërbejë si precedent për qindra paditë e ngjashme dhe pritet të sjellë ndryshime të rëndësishme në mënyrën se si funksionojnë platformat e rrjeteve sociale, veçanërisht për përdoruesit e rinj, shkruan CNN.

Sipas akuzës, Kaley, një 20-vjeçare nga Kalifornia, së bashku me nënën e saj, paditën Meta, YouTube, Snap dhe TikTok, duke i akuzuar kompanitë për varësinë që ndikoi te zhvillimi i problemeve të shëndetit mendor, përfshirë ankthin, çrregullimet e perceptimit të trupit dhe mendimet vetëvrasëse. Snap dhe TikTok zgjidhën çështjen para gjykimit.

Juria vendosi që Meta të mbajë 70% të përgjegjësisë dhe YouTube 30%, duke urdhëruar kompanitë të paguajnë 3 milion dollarë dëmshpërblim kompesator. Vendimi për dëmshpërblim penal do të merret së shpejti, duke u bazuar në pasurinë neto të secilës kompani.

Një zëdhënës i Meta-s deklaroi:

“Ne nuk pajtohemi me vendimin dhe po shqyrtojmë opsionet tona ligjore.”

Ndërkohë, Google njoftoi se do të bëjë apel, duke argumentuar se YouTube është një platformë e ndërtuar përgjegjësisht për transmetim, jo një rrjet social.