Tensionet u përshkallëzuan ndjeshëm sot në Heraklion, ku protesta e fermerëve mori përmasa të mëdha dhe u shoqërua me incidente të dhunshme.
Situata doli jashtë kontrollit pas vendimit të fermerëve për të bllokuar aeroportin “Nikos Kazantzakis”, një masë që u mor në një takim të zhvilluar herët në mëngjes.
Përpjekja e fermerëve për të çarë barrikadat policore solli ndërhyrjen e menjëhershme të forcave të rendit, të cilat përdorën armë kimike dhe granata zhurmuese për t’i shpërndarë. Pamjet nga vendi tregojnë fermerë që qëllojnë me gurë drejt policisë, ndërsa tensioni rritej nga momenti në moment.
Në kulmin e përplasjes, një automjet patrulle u përmbys nga protestuesit. Gjatë incidenteve, një civil dhe një oficer policie mbetën të plagosur.
Pavarësisht ndërhyrjes së policisë, një grup fermerësh arriti të kalojë kordonin e sigurisë dhe u drejtua drejt rrethrrotullimit përpara portës së aeroportit. Ndërkohë, fermerët morën gjithashtu vendimin për të bllokuar rrugën kryesore që çon drejt aeroportit, duke shkaktuar kaos në trafik. Dhjetëra drejtues mjetesh mbetën të bllokuar, dhe disa u detyruan të kthenin makinat përmes hapësirave të gjelbërta dhe palmave për të dalë nga zona.
Fermerët nga e gjithë Kreta — Heraklioni, Lasithi dhe Rethymno — u mblodhën që në mëngjes në stadiumin Pankretan me dhjetëra traktorë dhe mjete bujqësore, të zbukuruar me flamuj të zinj e grekë, si dhe pankarta proteste. Nga aty nisi marshimi motorizuar drejt aeroportit, ku u vendos bllokimi i tij për një kohë të pacaktuar.
Fotografitë dhe pamjet nga terreni tregojnë jo vetëm tensionin e situatës, por edhe vendosmërinë e fermerëve për të mos u tërhequr deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
Fermerët deklarojnë se protesta do të vazhdojë, ndërsa forcat e rendit mbeten të dislokuara në zonë për të shmangur përshkallëzim të mëtejshëm.
