BBC ka publikuar sot një letër zyrtare ku kërkon falje për editimin e një fjalimi të Donald Trump në emisionin “Panorama”. Në letrën drejtuar Komisionit Parlamentar për Kulturë, Media dhe Sport, kryetari i BBC-së Samir Shah pranoi se do të kishte qenë më mirë të ishin marrë masa më zyrtare pas zbulimit të montazhit të fjalimit të Trump-it të 6 janarit 2021.

Montazhi i bërë nga BBC-ja bashkoi copëza të fjalimit të Trump, duke krijuar përshtypjen se ish-presidenti po bënte thirrje të drejtpërdrejta për veprime të dhunshme. Programi, i cili u transmetua bashkoi dy pjesë të ndryshme të fjalimit të Trump dhe e bëri atë të dukej si një seksion i vetëm i vazhdueshëm.

Megjithatë, dy seksionet që u redaktuan së bashku kishin një distancë prej më shumë se 50 minutash nga njëra-tjetra. Gjithashtu konfirmon se, menjëherë pas këtyre fragmenteve, programi tregoi një klip të një grupi të ekstremit të djathtë Proud Boys që marshonte drejt Kapitolit. Megjithatë, këto pamje u filmuan përpara se Trump të fillonte fjalimin e tij.

“Si pasojë, kjo dha përshtypjen se Presidenti Trump kishte bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme. BBC dëshiron të kërkojë falje për atë gabim gjykimi”, thotë BBC.

Ky editim u zbulua përmes një shënimi zyrtar të rrjedhur nga Michael Prescott, ish-gazetar dhe këshilltar i pavarur i Këshillit të Standardeve Editoriale të BBC-së. Tim Davie, drejtor i përgjithshëm i BBC-së, dhe Deborah Turness, drejtoreshë e BBC News, dhanë dorëheqjen. Më pas, Trump i quajti ata në Truth Social si njerëz jashtëzakonisht të pandershëm që u përpoqën të ndikojnë në zgjedhjet presidenciale.

“Që nga publikimi i shënimit zyrtar të Prescott-it, kemi marrë mbi 500 ankesa. Çështja po trajtohet sipas procedurave standarde. Përfundimi ynë është se montazhi dha përshtypjen e një thirrjeje të drejtpërdrejtë për dhunë. BBC kërkon ndjesë për këtë gabim gjykimi,” tha Shah.

BBC pranoi gabimin dhe premtoi përmirësim të proceseve editoriale. Hetimi i brendshëm vazhdon, por skandali ka ngritur pyetje të mëdha për besueshmërinë dhe neutralitetin e mediave publike britanike.