Ndërsa temperaturat po rriten gjatë kësaj vere, gjithnjë e më shumë burra në Japoni po shkojnë në punë me pantallona të shkurtra. Qeveria Metropolitane e Tokios po inkurajon punonjësit të heqin dorë nga kostumet dhe kravatat tradicionale, duke zgjedhur veshje më të rehatshme si bluza, atlete dhe pantallona të shkurtra.
Guvernatorja e Tokios, Yuriko Koike, prezantoi në prill nismën “Tokyo Cool Biz”, një zgjerim i fushatës së saj të kursimit të energjisë dhe përshtatjes ndaj vapës, e cila prej vitesh është bërë traditë verore në Japoni. Megjithatë, lejimi i pantallonave të shkurtra në zyrë ka nxitur debate.
Disa punonjës e mirëpresin masën, duke argumentuar se i ndihmon të punojnë më rehat në temperaturat e larta. Të tjerë e konsiderojnë të padrejtë për gratë, pasi në shumë ambiente tradicionale pune ato ende pritet të mbajnë geta kur veshja ekspozon këmbët. Një pjesë e grave kanë shprehur madje shqetësime për atë që në rrjetet sociale është quajtur “sunehara”, ose bezdia nga qimet e këmbëve të kolegëve meshkuj.
Sipas një sondazhi të kryer në qershor, 53.5% e të anketuarve kundërshtojnë përdorimin e pantallonave të shkurtra në punë, ndërsa 46.5% e mbështesin. Arsyeja kryesore e kundërshtimit lidhet me pamjen fizike dhe qimet e trupit. Kjo ka bërë që disa meshkuj të kërkojnë gjithnjë e më shumë trajtime me lazer për heqjen e qimeve, jo vetëm për arsye estetike, por edhe si pjesë e etikës sociale në vendin e punës.
Nisma “Cool Biz” u lançua fillimisht nga Yuriko Koike në vitin 2005, kur ajo ishte ministre e Mjedisit, për të reduktuar konsumin e energjisë gjatë verës. Pas tërmetit dhe cunamit të vitit 2011, programi u zgjerua në “Super Cool Biz”, me masa shtesë për kursimin e energjisë në shtëpi dhe në punë.
Japonia po përballet këtë vit me temperatura rekord dhe kosto të larta energjie. Agjencia Meteorologjike Japoneze ka paralajmëruar për ditë me vapë ekstreme, duke përdorur termin “kokusho-bi”, që i referohet ditëve kur temperatura kalon 40 gradë Celsius. Vetëm gjatë javës 6-12 korrik, shtatë persona humbën jetën nga goditja e të nxehtit dhe 4,580 të tjerë përfunduan në spital.
Për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta, japonezët po përdorin gjithnjë e më shumë produkte si veshje me ventilatorë të integruar, peshqirë të lagur njëpërdorimësh, çadra që bllokojnë rrezet UV dhe ventilatorë portativë. Ekspertët theksojnë se përshtatja graduale e organizmit me vapën është thelbësore për të shmangur goditjet nga nxehtësia, veçanërisht në kushtet e lagështisë së lartë që e bën më të vështirë ftohjen natyrale të trupit.
Sipas tyre, përgatitja duhet të nisë që gjatë sezonit të shirave, përpara se të mbërrijnë temperaturat e plota të verës. Marrja e masave parandaluese në këtë periudhë mund të ulë ndjeshëm rrezikun e goditjeve nga të nxehtit.
Japonia përballet gjithashtu me nivele të larta lagështie në ajër, të cilat e vështirësojnë avullimin e djersës. Si pasojë, mekanizmi natyror i trupit për t’u ftohur bëhet më pak efektiv, duke rritur rrezikun e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat e larta. /BBC/
