Një incident i pazakontë ka tensionuar marrëdhëniet ruso-turke, pasi autoritetet turke refuzuan hyrjen në portin e Stambollit për kroçerën ruse Astoria Grande, e cila mbante rreth 600 turistë në bord.

Anija, e nisur nga Soçi për një udhëtim dyjavor me ndalesa të planifikuara në Marmaris, Antalya, Bodrum dhe Izmir, duhej të ndalej në Stamboll si pika më e rëndësishme e itinerarit.

Megjithatë, pas orësh pritjeje pa përgjigje, autoritetet turke nuk dhanë leje për hyrje në port. Si rezultat, kroçera është detyruar të kthehet drejt Soçit, pa realizuar destinacionin kryesor.

Pasagjerët nuk kanë marrë ende shpjegime zyrtare nga kompania apo palët shtetërore.

Pse ndodhi? Pak ditë më parë, Rusia ndaloi tragetin turk

Vetëm disa ditë më parë, në një incident të ngjashëm, autoritetet ruse në Soçi ndaluan hyrjen e tragetit turk “Seabridge”, duke e kthyer mbrapsht. Episodi u komunikua si “çështje procedurash”, por pa koment publik.

Kjo ka bërë që shumë media ruse të flasin tani për një hakmarrje të drejtpërdrejtë të Turqisë. Disa prej tyre shkruajnë se Ankaraja po “e poshtëron Rusinë përmes turistëve të saj”.

Dimensioni politik: një sinjal i ri tensioni

Edhe pse as Turqia dhe as Rusia nuk kanë dhënë komente zyrtare, analistët e shohin incidentin si pjesë të tensioneve të brendshme midis dy vendeve, të cilat shpesh balancojnë bashkëpunimin ekonomik me konkurrencën strategjike.

Refuzimi i kroçerës vjen në një kohë kur Turqia po manovron me kujdes mes marrëdhënieve me Rusinë dhe angazhimeve të saj brenda NATO-s, ndërsa Moska është gjithnjë e më e ndjeshme ndaj çdo veprimi që interpreton si sfidim ose mospërfillje.

Nuk përjashtohet që incidenti të ketë pasoja në trafikun detar midis dy vendeve, ose në marrëveshjet ekzistuese të turizmit.

Ndërkohë, për 600 turistët që synonin një udhëtim mesdhetar, kjo aventurë po përfundon me një kthim të papritur – dhe me shumë pak kujtime nga Turqia.