Një 22-vjeçare në Spanjë është pushuar nga puna për shkak se paraqitej çdo ditë rreth 40 minuta para nisjes zyrtare të turnit, pavarësisht paralajmërimeve të vazhdueshme të kompanisë që ta ndalte këtë praktikë.

Sipas dokumenteve gjyqësore, të cilave u referohet The Sun, kontrata e saj përcaktonte se puna duhej të niste në orën 07:30. Megjithatë, punonjësja mbërrinte vazhdimisht midis orës 06:45 dhe 07:00. Ajo ishte paralajmëruar disa herë, gojarisht dhe me shkrim, që të respektonte orarin, por vazhdoi njësoj edhe për 19 ditë të tjera radhazi.

Punëdhënësi argumentoi se ardhjet e parakohshme nuk konsideroheshin orë pune, pasi në atë orar nuk kishte detyra operative për t’u kryer. Për më tepër, ajo regjistrohej në aplikacionin e kompanisë edhe para se të ishte fizikisht në zyrë, çka u cilësua si shkelje e besnikërisë dhe mosbindje ndaj rregullave të brendshme.

Punonjësja e kundërshtoi vendimin dhe çështja përfundoi në Gjykatën Sociale të Alicante-s, e cila përcaktoi se pushimi nga puna ishte i ligjshëm. Sipas gjykatës, problemi nuk ishte “tepër-përpikmëria”, por refuzimi i vazhdueshëm për t’iu bindur rregullave të kompanisë, çka përbën shkelje të rëndë sipas Nenit 54 të Statutit të Punëtorëve në Spanjë.

Rasti ka ngjallur debat, pasi zakonisht punonjësit penalizohen për vonesa, jo për ardhje para kohe. Megjithatë, gjykata theksoi se respektimi i rregullave të kompanisë është detyrim ligjor për çdo punonjës.