Reperi nepalez Balendra Shah ka arritur një fitore të papritur në zgjedhjet e përgjithshme në Nepal, duke mposhtur ish-kryeministrin KP Sharma Oli në zonën e tij zgjedhore parlamentare.

Sipas të dhënave të publikuara nga Komisioni Zgjedhor i Nepalit, Shah siguroi 68,348 vota, ndërsa Oli mori 18,734, duke pësuar një humbje të thellë në bastionin e tij politik.

35-vjeçari kishte dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të bashkisë së Katmandu në janar për të kandiduar drejtpërdrejt kundër Olit. Pas fitores së partisë së tij, Rastriya Swatantra Party (RSP), ai pritet të marrë drejtimin e qeverisë si kryeministër.

Përpara se të hynte në politikë, Shah ishte i njohur në skenën e hip-hopit nepalez. Një nga këngët e tij më të njohura, Balidan, që flet për sakrificën, ka grumbulluar miliona shikime në platformën YouTube.

Zhvillimet politike në Nepal vijnë pas një periudhe tensionesh të forta në vend. Në shtator të vitit 2025 shpërthyen protesta masive të njohura si demonstratat e “Gjeneratës Z”, të nxitura nga vendimi i qeverisë së atëhershme për të ndaluar disa platforma të rrjeteve sociale.

Protestat u përshkallëzuan dhe përfunduan me 77 viktima. Një hetim i BBC zbuloi se drejtuesi i policisë kishte dhënë urdhër për përdorimin e armëve vdekjeprurëse ndaj protestuesve të paarmatosur.

Gjatë asaj kohe, Shah doli hapur në mbështetje të protestuesve dhe kritikoi ashpër qeverinë e Olit, duke e akuzuar ish-kryeministrin se kishte tradhtuar vendin.