Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar në lidhje me çështjen e shumë debatuar të ditëve të fundit për ndryshim kufijsh në Kosovë. Reagimi ka ardhur pas artikulimit nga disa media, se pas idesë së korrigjimit të kufijve fshihet Rusia dhe presidenti Vladimir Putin.


Ambasada thotë se nuk duhet të luhet me një tendencë të rrezikshme të tronditjes së marrëdhënieve ruso-amerikane dhe nuk duhen nxitur tensione në Ballkan.


“Të gjitha çështjet në lidhje me statusin përfundimtar të Kosovës duhet të zgjidhen në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Në këtë kontekst, Beogradi dhe Prishtina ranë dakord për një dialog të drejtpërdrejtë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Rusia mbështet në vazhdimësi procesin e negociatave, këmbëngul në realizimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në kuadrin e tyre dhe kurrë nuk do të përpiqet të diskutojë këtë çështje pas shpinës së palëve.


I bëjmë thirrje komunitetit mediatik të përmbahet nga spekulimet flagrante për ekzistencën e marrëveshjeve të fshehta të arritura midis Moskës dhe Uashingtonit. Nuk duhet luajtur me një tendencë tepër të rrezikshme të tronditjes së marrëdhënieve ruso-amerikane, nga gjendja e të cilave, në një masë të madhe, varet siguria ndërkombëtare, ashtu si edhe nuk duhen nxitur tensione në një rajon kaq të ndërlikuar siç është Ballkani”, thuhet në njoftimin e ambasadës.


8 gusht 2018 (gazeta-Shqip.com)