Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se një ndryshim regjimi në Iran do të ishte “gjëja më e mirë që mund të ndodhte”, në një nga qëndrimet e tij më të qarta në favor të zëvendësimit të udhëheqjes aktuale iraniane.

“Për 47 vite ata vetëm kanë folur. Ndërkohë kemi humbur shumë jetë”, u shpreh Trump, duke mos specifikuar se kush mund ta drejtonte Iranin në rast të një ndryshimi pushteti. Deri tani nuk ka pasur reagim publik nga Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei.

Deklaratat vijnë në një moment tensioni të lartë në Lindjen e Mesme. SHBA ka dërguar një aeroplanmbajtëse të dytë në rajon, USS Gerald R. Ford, e cila pritet t’i bashkohet USS Abraham Lincoln, tashmë e vendosur në zonë. Sipas Uashingtonit, kjo lëvizje synon të rrisë presionin ndaj Teheranit për të arritur një marrëveshje mbi programin bërthamor.

Administrata amerikane kërkon që Irani të ndalojë pasurimin e uraniumit, ndërsa qeveria izraelite e udhëhequr nga kryeministri Benjamin Netanyahu ka kërkuar gjithashtu kufizimin e programit të raketave balistike dhe mbështetjes për grupe si Hamasi dhe Hezbollahu.

Nga ana tjetër, Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është për qëllime paqësore dhe energjetike. Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka paralajmëruar se vendi “nuk do t’i nënshtrohet kërkesave të tepruara”, megjithëse ka sinjalizuar gatishmëri për kufizime në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Trump, i cili gjatë mandatit të tij të parë u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e epokës së Obamës dhe riktheu sanksionet ndaj Iranit, ka theksuar se negociatat duhet të vazhdojnë, por ka paralajmëruar gjithashtu për mundësinë e goditjeve ushtarake nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Zhvillimet e fundit e vendosin marrëdhënien SHBA–Iran sërish në një pikë delikate, mes diplomacisë dhe kërcënimeve ushtarake, ndërsa rajoni mbetet në tension të vazhdueshëm.