Një tatuazh i veçantë në parakrah i dha fund arratisë gati dydekadëshe të një shqiptari të dënuar për krim të organizuar në Itali.

Durim Lusha, 52 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitit 2006, u arrestua nga karabinierët në Taviano, afër Leçes, ndërsa ndodhej në një bar pranë një stacioni karburanti.

Shqiptari ishte dënuar përfundimisht nga Gjykata e Apelit me 10 vite burg, si pjesë e një grupi italo-shqiptar të përfshirë në trafikimin dhe shfrytëzimin e grave në prostitucion. Aktiviteti kriminal i grupit daton në fund të viteve ’90 dhe fillim të viteve 2000.

Për të shpëtuar nga drejtësia, Lusha kishte ndryshuar identitetin, duke përdorur emrin “Elidon” në dokumentet e reja, por tatuazhi në parakrah që paraqiste një figurë gruaje gjysmë të zhveshur e tradhtoi. Oficerët e kishin regjistruar këtë detaj që në hetimet e para dhe arritën ta identifikonin menjëherë.

Në momentin e ndalimit, 52-vjeçari tentoi të bindte policët se jetonte në Milano dhe tregoi pasaportën me emrin e rremë, por verifikimet zbuluan identitetin e tij të vërtetë.

Aktualisht ai ndodhet në burgun e Borgo San Nicola, në periferi të Leçes, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit. Autoritetet italiane po hetojnë edhe për personat që mund ta kenë ndihmuar të qëndrojë i lirë për afro 20 vite.