Bota e medias është në zi pas ndarjes nga jeta të themeluesit të CNN, Ted Turner, i cili u shua në moshën 87-vjeçare.

Lajmi u konfirmua këtë të mërkurë përmes një deklarate zyrtare, duke i dhënë fund jetës së një prej figurave më me ndikim në historinë moderne të gazetarisë televizive. Turner konsiderohet njeriu që ndryshoi përgjithmonë mënyrën se si transmetohen lajmet, pasi krijoi rrjetin e parë informativ 24 orë në ditë në botë.

I lindur në Ohio dhe i rritur në Atlanta, ai ndërtoi me kalimin e viteve një nga perandoritë më të fuqishme mediatike në SHBA. Përveç krijimit të CNN, Turner investoi edhe në televizione argëtuese, kanale filmash dhe programe vizatimore, ndërsa ishte gjithashtu pronar i skuadrës së bejsbollit Atlanta Braves.

Përtej suksesit në biznes, ai njihej edhe për angazhimin e tij në çështje globale. Turner mbështeti nisma për çarmatimin bërthamor, mbrojtjen e mjedisit dhe krijoi fondacione bamirësie në bashkëpunim me United Nations.

Vizioni i tij për lajmin në kohë reale e ktheu në një figurë revolucionare të medias botërore. Në vitin 1991, revista Time e shpalli “Njeriu i Vitit”, duke vlerësuar ndikimin që pati në transformimin e informacionit global.

Në vitet e mëvonshme, Turner ia shiti kompanitë e tij grupit Time Warner dhe u largua gradualisht nga drejtimi aktiv, por CNN mbeti projekti që ai e cilësonte si suksesin më të madh të jetës së tij.

Pas lajmit për vdekjen, drejtori ekzekutiv i CNN Worldwide, Mark Thompson, e vlerësoi Turner si një figurë të pazëvendësueshme për gazetarinë moderne, duke theksuar se trashëgimia e tij do të mbetet e gjallë në çdo transmetim të rrjetit.

Në vitin 2018, Ted Turner kishte bërë publike betejën e tij me sëmundjen Lewy body dementia, ndërsa muajt e fundit ishte përballur edhe me probleme shëndetësore të lidhura me mushkëritë.