Duket se presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur të vijojë i bindur për suksesin, bisedimet e paqes mes Ukrainës dhe Rusisë.

Përpara takimit të shumëpritur me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe udhëheqësit evropianë në Shtëpinë e Bardhë, ai ka publikuar një mesazh në “Truth social”, ku shprehet se e di shumë mirë se çfarë po bën. Ai tha se 6 muajt e fundit ka zgjidhur 6 konflikte, një prej tyre një luftë e mundshme bërthamore.

“Në gjashtë muajt e fundit, kam zgjidhur 6 luftëra, njëra prej të cilave mund të kishte shkaktuar një katastrofë bërthamore. Megjithatë, më duhet të dëgjoj Wall Street Journal dhe shumë të tjerë, të cilët realisht nuk kanë asnjë ide, të më thonë se çfarë po bëj gabim në situatën Rusi/Ukrainë, e cila është lufta e fshehtë e Joe Biden, jo e imja. Personalisht, jam këtu për ta ndaluar atë, jo për ta çuar më tej.

Nëse do të isha president, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. E di saktësisht çfarë po bëj dhe nuk kam nevojë për këshillat e njerëzve që kanë punuar me këto konflikte për vite me radhë dhe që nuk kanë arritur kurrë të bëjnë asgjë për t’i ndaluar ato. Këta të ashtuquajtur ekspertë janë budallenj, pa mendje të shëndoshë, inteligjencë apo mirëkuptim, dhe vetëm sa e bëjnë situatën në Ukrainë më të vështirë. Pavarësisht sulmeve të kritikëve të mi sipërfaqësorë dhe shumë xhelozë, unë do t’ia dal. Unë gjithmonë ia dal”, theksoi presidenti amerikan.

Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Uashington ku ka zhvilluar një takim me përfaqësuesin e posaçëm të SHBA për Ukrainën dhe Rusinë, Keith Kellogg. Në një postim në Telegram, Zelensky dënoi sulmet ruse në Kharkiv dhe Zaporizhzhia, ndërsa tha se Putin po poshtëron paqen.