Qeveria britanike ka njoftuar se do të ndalojë shitjen e pijeve energjike, si Red Bull dhe Monster, për personat nën moshën 16 vjeç, në një përpjekje për të përmirësuar shëndetin fizik dhe mendor të të rinjve.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, rreth 1 në 3 adoleshentë nga mosha 13 deri në 16 vjeç dhe 1 në 4 fëmijë 11-12 vjeç konsumojnë të paktën një pije energjike në javë. Qeveria ka ngritur shqetësime për pasojat serioze në shëndet, siç janë: Ankthi dhe nervozizmi, problemet me gjumin, vështirësi në përqendrim dhe në mësime,prishja e dhëmbëve dhe obeziteti, për shkak të sasisë së lartë të sheqerit
“Si mund të kenë sukses fëmijët në shkollë kur pinë çdo ditë kafeinë sa një ekspres i dyfishtë?”, u shpreh Ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting.
Ligji i ri do ta bëjë të paligjshme shitjen e çdo pije që përmban më shumë se 150 mg kafeinë për litër për të miturit. Kjo do të zbatohet në të gjitha format e shitjes dyqane, internet, restorante, kafene dhe makina shitëse.
Sot ka nisur një konsultim 12-javor me ekspertë, mësues, prindër dhe shitës me pakicë për mënyrën më të mirë të zbatimit të këtij ndalimi.
Ky rregull do të vlejë vetëm për Anglinë. Vendet e tjera të Mbretërisë së Bashkuar Skocia, Uellsi dhe Irlanda e Veriut do të vendosin vetë për këtë çështje.