Pas përgatitjeve intensive dhe shumë shtyrjeve, Muzeu i Madh Egjiptian (GEM), dedikuar qytetërimit faraonik, dje është përuruar me madhështi në Kajro, si pjesë e një eventi shumë të pritur me entuziazëm që synon të shfaqë arritjet e vendit dhe të nxisë turizmin.
Fasada kolosale e muzeut, e vendosur në një shpat me pamje nga pllaja e Gizës dhe piramidat e saj, është ndriçuar gjatë netëve të fundit.
Ky muze monumental, i cili shtrihet në pothuajse gjysmë milion metra katrorë dhe i është dedikuar qytetërimit faraonik, kushtoi më shumë se një miliard dollarë dhe kërkoi vepra titanike prej 20 vjetësh, që u mbështetën financiarisht e teknikisht nga Japonia.
Ekspozita kryesore e muzeut të ri është thesari i Tutankhamunit, i zbuluar në vitin 1922 në një varr të pahapur në Luginën e Mbretërve në Egjiptin e Sipërm, së bashku me gati 5,000 dhuratat e tij, të mbledhura së bashku, për herë të parë, në të njëjtën hapësirë.
Në total, GEM strehon më shumë se 100,000 objekte, gjysma e të cilave do të jenë në ekspozitë, duke e bërë atë koleksionin më të madh në botë kushtuar një qytetërimi të vetëm, i cili ka parë 30 dinasti të vijnë e të shkojnë gjatë më shumë se 5,000 viteve histori.
Kur muzeu të hapet për publikun të martën, vizitorët do të përshëndeten në atriumin e madh nga statuja më monumentale e muzeut – 83 ton granit, 11 metra e lartë – që përfaqëson Ramsesin II, faraonin që mbretëroi mbi Egjiptin për 66 vjet më shumë se 3,000 vjet më parë.
GEM ofron galeri zhytëse, ndriçim preçiz, ekspozita të realitetit virtual e madje edhe një muze për fëmijë. Entuziastët e arkeologjisë do të mund të shikojnë përmes një dritareje xhami, punën e laboratorit të konservimit për të restauruar një “varkë diellore” 4,500-vjeçare, anija më e madhe dhe më e vjetër prej druri e zbuluar ndonjëherë në Egjipt, që besohet se është ndërtuar për Faraonin Khufu për udhëtimin e tij në jetën e përtejme.
Pas shtyrjeve të lidhura me Pranverën Arabe dhe pandeminë COVID-19, hapja zyrtare ishte caktuar për më 3 korrik. Megjithatë, autoritetet egjiptiane preferuan ta shtynin në minutën e fundit për shkak të tensioneve rajonale, që t’i jepnin eventit “hapësirën globale që meriton”.
Pas dekadash paqëndrueshmërie politike në Egjipt, pastaj një serie sulmesh dhe së fundmi pandemisë 2020, turizmi egjiptian, thelbësor për ekonominë e vendit, po rimëkëmbet. Të ardhurat e tij ishin 14.4 miliardë dollarë në vitin fiskal 2023-2024 (+34.6% krahasuar me vitin e mëparshëm), ndërsa një numër rekord turistësh u regjistrua pas pandemisë.
Vendi tashmë ka pritur 15 milion vizitorë të huaj në 9 muajt e parë të 2025-ës, një rritje prej 21% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, me të ardhura prej 12.5 miliardë dollarësh (+14.7%), sipas shifrave zyrtare.
Zyrtarët vlerësojnë se vetëm GEM mund të tërheqë deri në 7 milion vizitorë në vit, duke e rritur potencialisht numrin e përgjithshëm të vizitorëve në 30 milion deri në vitin 2030.
