Mijëra familje në veriperëndim të Francës mbetën sot pa energji elektrike, ndërsa vendi po përballet me një valë të pazakontë dhe rekord të të nxehtit.
Administrata rajonale e Finistere, me seli në Quimper, njoftoi se rreth 68 mijë familje në rajonin e Bretanjës janë prekur nga ndërprerja e energjisë. Sipas autoriteteve, problemi u shkaktua nga një defekt në një transformator, i lidhur me temperaturat jashtëzakonisht të larta.
Furnizimi me energji pritet të rikthehet jo më herët se mbrëmja e sotme.
Ndërkohë, alarmi më i lartë meteorologjik, niveli i kuq, është në fuqi në 58 departamente franceze, përfshirë edhe Finistere.
Shërbimi meteorologjik francez, Meteo-France, e ka cilësuar situatën si një valë të nxehti me intensitet të pazakontë dhe ka paralajmëruar se gjatë ditës mund të thyhen rekorde të reja temperaturash.
Në qytetin bregdetar të La Rochelle, i cili zakonisht freskohet nga erërat e Oqeanit Atlantik, temperatura arriti pothuajse 30 gradë Celsius që në orën 05:00.
Mesatarja normale për qershorin në këtë zonë është rreth 23 gradë.
Në Bordo temperatura ishte 27 gradë në orët e para të mëngjesit dhe parashikohej të arrinte deri në 42 gradë gjatë ditës.
Edhe Paris u zgjua me temperatura të pazakonta prej 26 gradësh, ndërsa meteorologët presin që termometri të ngjitet deri në 41 gradë Celsius, rreth 17 gradë mbi mesataren normale për këtë periudhë të vitit.
