Ish-drejtoresha e Shërbimit të Sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar (MI5), Eliza Manningham-Buller, ka paralajmëruar se Britania e Madhe mund të jetë tashmë në një gjendje lufte me Rusinë. Kjo për shkak të rritjes së sulmeve kibernetike, sabotimeve dhe aktiviteteve të inteligjencës nga Moska që po zhvillohen në territorin britanik.
Në një intervistë Baronesha Manningham-Buller tha se aktivitetet “e gjerë” të Moskës përfshirë sulme fizike, sabotime dhe spiunazh janë të barasvlershme me një konflikt të hapur, edhe pse nuk është shpallur një luftë zyrtare. Ajo gjithashtu citoi ekspertën për Rusinë Fiona Hill, e cila sipas saj, ka të drejtë kur thotë se “ne jemi tashmë në luftë me Rusinë.”
Në të njëjtën kohë, Rusia nisi një sulm ajror 12-orësh mbi kryeqytetin ukrainas Kiev, duke përdorur pothuajse 600 dronë dhe më shumë se 40 raketa balistike dhe kruz. Ky ishte një nga sulmet më të mëdha që nga nisja e luftës në shkurt të vitit 2022.
Si pasojë e sulmit u vranë të paktën katër civilë, përfshirë një vajzë 12-vjeçare. Autoritetet ukrainase njoftuan se kanë goditur dhe neutralizuar pjesën më të madhe të dronëve dhe raketave gjatë sulmit.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dënoi ashpër sulmet, duke i cilësuar si “terrorizëm të qëllimshëm dhe të synuar”. Ai bëri thirrje për një presion më të madh ndërkombëtar ndaj Rusisë dhe mbështeti idenë e ndalimit të blerjes së naftës ruse nga Evropa.
Në Britani, Komandanti i Antiterrorizmit të Policisë Metropolitane, Dominic Murphy, paralajmëroi për një rritje alarmante të numrit të fëmijëve që rekrutohen nga shërbimet sekrete ruse për të kryer krime dhe aktivitete armiqësore. Ai tha se kërcënimet nga shtetet e huaja janë rritur pesëfish që nga helmimi i ish-agjentit rus Sergei Skripal në Salisbury më 2018.
Murphy nënvizoi se dhjetëra të rinj janë rekrutuar tashmë për qëllime të tilla, duke theksuar rrezikun e përhapur për sigurinë kombëtare të Britanisë.
Në këtë kontekst, mediat britanike raportojnë se MI5 po kërkon të trajnojë qytetarë të zakonshëm për t’u angazhuar si oficerë të fshehtë mbikëqyrës, me qëllim përballimin e kërcënimeve të reja. Për të marrë pjesë në këtë program nuk kërkohet përvojë e mëparshme, vetëm “aftësia për t’u përshtatur me sfondin”.
Programi i trajnimit do të zgjasë gjashtë muaj dhe përshkruhet si shumë i vështirë, si fizikisht ashtu edhe mendërisht.