Kriza e strehimit në Los Angeles po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese. Mijëra persona që nuk arrijnë të përballojnë kostot e banimit janë detyruar t’i kthejnë makinat, furgonët apo kamperët e tyre në shtëpi të përhershme.

Mes tyre është edhe 51-vjeçari Tom Williamson, i cili prej më shumë se katër vitesh jeton brenda një Dodge Magnum të mbushur me sendet e tij personale. Gjithçka ndryshoi për të në nëntor të vitit 2021. Në atë periudhë, Williamson ndodhej me leje mjekësore për shkak të problemeve me zemrën, kur humbi apartamentin ku jetonte në Wenatchee, në shtetin e Washingtonit.

I paaftë për t’u rikthyer në punën e tij në sektorin e ndërtimit dhe pa një banesë, ai vendosi të merrte makinën dhe të udhëtonte drejt Kalifornisë. Zgjodhi Los Angelesin kryesisht për shkak të klimës më të favorshme.

Prej atëherë qëndron kryesisht në zonën e Venice, por duhet ta zhvendosë vazhdimisht automjetin për të gjetur vende të përshtatshme parkimi. Të ardhurat e tij mujore kufizohen në 1,365 dollarë nga përfitimet e paaftësisë të Sigurimeve Shoqërore. Me këto para ai arrin të mbulojë ushqimin, karburantin dhe kujdesin për kafshët e tij shtëpiake, por jo një banesë.

Vetëm një apartament i vogël studio në zonën metropolitane të Los Angelesit mund të kushtojë të paktën 1,500 dollarë në muaj. Për njerëzit që jetojnë me të ardhura të kufizuara, sigurimi i një kontrate normale qiraje bëhet praktikisht i paarritshëm.

Williamson thotë se ka kërkuar ndihmë përmes programeve të strehimit të subvencionuar, por deri tani pa rezultat.

“Kam aplikuar në disa programe, por burrat beqarë përfundojnë në fund të listës. E vetmja shpresë që kam është të largohem nga Kalifornia. Po përpiqem të kursej 5,000 dollarë dhe më pas do të iki”, ka treguar ai.

Rasti i tij nuk është i izoluar. Pamje të automjeteve të kthyera në banesa mund të gjenden në shumë pjesë të Qarkut të Los Angelesit dhe jo vetëm në Venice. Njerëzit parkohen pranë autostradave, në parkingje publike, përgjatë rrugëve të zonave industriale, por edhe pranë disa prej lagjeve më të pasura të metropolit.

Vlerësohet se rreth 15,000 deri në 20,000 persona në Qarkun e Los Angelesit e kalojnë jetën në makina, furgonë apo kamperë. Për shumë prej tyre, automjeti nuk është më thjesht një mjet transporti, por hapësira e vetme ku mund të flenë dhe të mbajnë gjërat personale.

Fenomeni është pjesë e një krize shumë më të gjerë të të pastrehëve që ka prekur Los Angelesin gjatë viteve të fundit. Sipas të dhënave të autoriteteve lokale të shërbimeve për të pastrehët, numri i personave pa strehim të qëndrueshëm është rritur ndjeshëm gjatë dekadës së fundit, nga rreth 45 mijë në vitin 2015 në afro 73 mijë në vitin 2026.

Rritja e kostos së jetesës dhe veçanërisht çmimet e larta të banesave kanë bërë që edhe persona me të ardhura të rregullta ose me ndihmë sociale të rrezikojnë të mbeten pa një çati mbi kokë. Në Los Angeles, për mijëra prej tyre, makina është shndërruar në zgjidhjen e fundit.