Vendimi i Donald Trump dhe Vladimir Putin për të udhëtuar së bashku në të njëjtën makinë gjatë samitit të Alaskës ka hapur diskutime të shumta mbi përmbajtjen e bisedës së tyre private. Analistët theksojnë se është mjaft e pazakontë që liderët e dy fuqive më të mëdha botërore të ndajnë të njëjtën limuzinë.
Sipas raportimeve, brenda mjetit nuk ishte i pranishëm asnjë përkthyes, ndërsa Putin zotëron njohuri të mjaftueshme të anglishtes për të zhvilluar një bisedë të drejtpërdrejtë. Fakti që të dy presidentët kaluan rreth 10 minuta vetëm për vetëm në “Bishën” e blinduar i ka shtuar edhe më shumë enigmën për atë që mund të jenë diskutuar, duke kujtuar atmosferën e ngjashme të takimit të tyre privat në Hamburg në vitin 2017, në fillim të mandatit të parë të Trump.
Mediat zyrtare ruse raportuan se ishte me ftesë të Trump që Putin zgjodhi të linte mënjanë limuzinën e tij Aurus dhe të bashkohej me homologun amerikan në automjetin presidencial të SHBA-së.