Një sulm i dyshuar i qëllimshëm ka ndodhur ndaj biznesmenit të njohur Eddie Jawad, 59 vjeç, jashtë rezidencës së tij luksoze me vlerë 1.9 milionë dollarë në Macomb Township, Michigan. Sipas raportimeve, Jawad u qëllua nga një person i paidentifikuar, i cili doli papritur nga shkurret dhe e sulmoi atë në mes të ditës, ndërsa ndodhej jashtë shtëpisë së tij.
Gruaja e tij, Khadije, deklaroi për mediat se nuk bëhet fjalë për një tentativë grabitjeje, duke përforcuar dyshimet se ngjarja ka qenë një atentat i qëllimshëm.
Në momentin që policia mbërriti në vendngjarje, Jawad ishte i plagosur nga arma e zjarrit dhe u transportua menjëherë në spital. Mjekët konfirmuan se ndodhet në gjendje të qëndrueshme, ndërkohë që hetuesit po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit, i cili ndodhet ende në arrati.

Eddie Jawad është një figurë e njohur në komunitetin arabo-amerikan të Michigan-it, pronar i mbi 20 stacioneve të karburantit “Pit Stop” dhe një zë kritik ndaj zhvillimeve të mëdha korporative. Ai ka kundërshtuar hapur ndërtimin e një stacioni të madh Sheetz pranë pronave të tij, duke e cilësuar si kërcënim për bizneset e vogla lokale dhe duke akuzuar autoritetet për favorizim të korporatave.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.