Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Irani janë shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për zgjatjen e armëpushimit dhe nisjen e negociatave mbi programin bërthamor iranian, por disa pika kyçe mbeten ende të pazgjidhura, deklaroi zëvendëspresidenti amerikan JD Vance.
Në një prononcim për BBC, Vance tha se është ende herët për të përcaktuar “kur ose nëse” marrëveshja do të finalizohet, megjithëse negociatat po vazhdojnë intensivisht. Ai theksoi se diskutimet po përqendrohen kryesisht te çështja e pasurimit të uraniumit.
“Nuk jemi ende atje, por jemi shumë afër dhe do të vazhdojmë të punojmë për këtë”, deklaroi Vance para gazetarëve në Uashington.
Sipas raportimeve, marrëveshja e propozuar do të zgjasë armëpushimin për 60 ditë dhe do të krijojë hapësirë për bisedime më të thelluara mbi të ardhmen e programit bërthamor të Iranit.
Zyrtarë amerikanë i thanë BBC-së se të dyja palët kanë rënë dakord për një kuadër paraprak marrëveshjeje, në pritje të miratimit nga presidenti Donald Trump dhe udhëheqja iraniane. Megjithatë, agjencia iraniane Tasnim raportoi se marrëveshja ende nuk është finalizuar apo konfirmuar.
SHBA-të kërkojnë që Irani të ndalojë prodhimin e uraniumit të pasuruar në nivele të larta dhe të eliminojë rezervat ekzistuese, të cilat mund të përdoren potencialisht për armë bërthamore.
Raportet mediatike sugjerojnë se drafti i marrëveshjes mund të përfshijë lejimin e kalimit të pakufizuar nëpër Ngushticën e Hormuzit, si dhe heqjen graduale të minave detare nga Irani. Po ashtu, SHBA-të mund të lehtësojnë bllokadën dhe disa sanksione për të mundësuar rifillimin e eksporteve iraniane të naftës.
Axios raportoi se presidenti Trump është informuar për propozimin, por ende nuk ka dhënë miratim përfundimtar dhe pritet ta shqyrtojë atë në ditët në vijim.
Ndërkohë, media shtetërore iraniane publikoi elemente të një drafti jozyrtar prej 14 pikash, i cili përfshin tërheqjen e forcave amerikane nga afërsia e Iranit dhe rikthimin e trafikut jo-ushtarak në Ngushticën e Hormuzit. Shtëpia e Bardhë e hodhi poshtë dokumentin duke e cilësuar si “trillim të plotë”.

