Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, po përballet me protesta të fuqishme nga studentët, të cilët kanë bllokuar tri ura në qendër të Beogradit, duke e vendosur Serbinë në një situatë krize politike. Në një takim në Trstenik, Vuçiç hodhi poshtë çdo mundësi për krijimin e një qeverie kalimtare apo teknike, duke deklaruar se nuk do të lejojë një qeveri “kukullash servile ndaj të tjerëve” për sa kohë ai është president.

Mediat opozitare raportojnë se studentët protestues janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe, ndërsa presioni ndaj qeverisë po rritet pas dorëheqjes së kryeministrit Millosh Vuçeviç.

Vuçiç ka ftuar studentët në dialog, por ka kritikuar refuzimin e tyre për të negociuar me qeverinë. Ai u bëri thirrje profesorëve të mos qëndrojnë pasivë dhe të angazhohen në zgjidhjen e situatës.

Në një tjetër akuzë, Vuçiç ka fajësuar kreun e United Group, Dragan Solak, si nxitës të protestave, duke e lidhur atë me përpjekje për destabilizim politik në vend.