Atmosfera brenda Zyrës Ovale gjatë takimit të sotëm ishte shumë më kolegjiale sesa përplasja e fortë që ndodhi në shkurt, kur Presidenti Volodymyr Zelensky ishte për herë të fundit në të njëjtën dhomë me Presidentin Donald Trump, shkruan CNN.
Duket se delegacioni ukrainas i kishte kushtuar vëmendje të veçantë për të siguruar që bisedimet të mos dilnin jashtë kontrollit. Zelensky mbante me vete një letër për Trump nga gruaja e tij dhe lavdëroi mesazhin e Zonjës së Parë të SHBA, Melania Trump, drejtuar Vladimir Putin për fëmijët që vuajnë nga lufta.
Pas akuzës së Zëvendës Presidentit JD Vance ndaj tij për mungesë mirënjohjeje gjatë takimit të shkurtit, Zelensky përdori fjalën “faleminderit” katër herë brenda 10 sekondave të para të fjalës së tij të shkurtër.
“Faleminderit për ftesën dhe faleminderit shumë për përpjekjet tuaja personale për të ndaluar vrasjet dhe këtë luftë. Faleminderit që përdorët këtë mundësi, shumë faleminderit edhe gruas suaj,” tha Zelensky.
Ai gjithashtu kishte veshur një kostum, një lëshim që duket se kishte bërë për të shmangur pakënaqësinë e Trump për uniformën ushtarake që kishte veshur në takimin e fundit. Kjo zgjedhje e tij solli një moment gazmor gjatë takimit.
Ndryshe nga takimi i shkurtit, delegacioni i Trump qëndroi i heshtur gjatë takimit të sotëm. Vance, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe i dërguari special Steve Ëitkoff ishin të gjithë ulur në divan në Zyrën Ovale gjatë takimit.


