Një ngjarje e rëndë ka tronditur Indonezinë, ku një nxënës 14-vjeçar humbi jetën pasi u sulmua nga një krokodil në një lumë lokal, në prani të shokëve dhe motrës së tij më të vogël. I mituri, Muhammad Rafli Hamzah, ndodhej në bregun e lumit duke larë rrobat, kur nga ujërat e turbullta u shfaq papritur grabitqari.

Krokodili e kapi djalin dhe e tërhoqi me forcë drejt ujit, ndërsa të pranishmit, të tmerruar, nuk mundën ta ndihmonin. Menjëherë pas incidentit u organizua një operacion kërkimi, ku u përfshinë familjarë, banorë të zonës, forca policore dhe ekipe shpëtimi, të cilët kontrolluan lumin me mjete lundruese.

Pas disa orësh kërkime, trupi i pajetë i 14-vjeçarit u gjet rreth 200 metra larg vendit ku ndodhi sulmi. Autoritetet bënë me dije se në trup u konstatuan shenja të shumta kafshimi. Trupi u nxor nga uji nga një ekip i përbashkët kërkim-shpëtimi dhe zjarrfikësish.

Policia lokale u ka bërë thirrje banorëve të rrisin kujdesin dhe të shmangin aktivitetet pranë lumenjve, pasi zona njihet për praninë e krokodilëve. Indonezia është një nga vendet me numrin më të lartë të këtyre grabitqarëve, veçanërisht të krokodilit të ujërave të kripura, i cili konsiderohet ndër më agresivët.