Sipas hulumtimit më të fundit të botuar në revistën Nature Medicine, Danimarka është vendi ku njerëzit plaken më ngadalë. Shkencëtarët kanë përcaktuar se ky vend ka kushtet më të mira për plakje biologjike më të ngadaltë falë një mjedisi të favorshëm, rrethanave sociale dhe stabilitetit politik. Studimi analizoi mbi 160,000 njerëz nga 40 vende për të krahasuar se si faktorë të ndryshëm ndikojnë në procesin e plakjes në të gjithë botën.

Shkencëtarët përdorën të ashtuquajturin diferencë moshe bio-sjelljeje, një mjet i bazuar në inteligjencën artificiale, i cili vlerëson ndryshimin midis moshës aktuale të një personi dhe moshës biologjike të parashikuar, bazuar në mjedisin dhe rreziqet ndaj të cilave personi është i ekspozuar. Për shembull, nëse jeni 50 vjeç, por një model i bazuar në kushtet tuaja parashikon që jeni 55 vjeç, “diferenca juaj biologjike-parashikuese” është 5 vjet duke treguar plakje të përshpejtuar.

Në katër kontinentet e analizuara; Afrikë, Azi, Evropë dhe Amerikën e Jugut u tregua se evropianët plaken më shëndetshëm. Nga ana tjetër, plakja e përshpejtuar është më e zakonshme në vendet me të ardhura të ulëta. “Ky studim është i rëndësishëm sepse ripërcakton plakjen, nuk është vetëm një proces biologjik ose i stilit të jetës, por është thellësisht i lidhur me kushtet më të gjera shoqërore dhe politike. Vendi dhe mënyra se si jetoni mund ta përshpejtojë ose ngadalësojë ndjeshëm plakjen”-tha Dr.Morten Scheibe-Knudsen, një ekspert i plakjes në Universitetin e Kopenhagenit.

Plakja më e shpejtë është regjistruar në Egjipt ku njerëzit janë mesatarisht biologjikisht 4.75 vjet më të vjetër se mosha e tyre aktuale. Republika e Afrikës së Jugut dhe vendet e Amerikës së Jugut vijnë më pas. Plakja më e ngadaltë u regjistrua në Danimarkë, ku njerëzit janë biologjikisht më të rinj me një mesatare prej 2.35 vjetësh. Holanda dhe Finlanda vijnë më pas. Studiuesit zbuluan se faktorët fizikë si cilësia e ajrit luajnë një rol kyç, por edhe faktorët socialë duke përfshirë barazinë gjinore dhe statusin socio-ekonomik.

Studimi zbuloi gjithashtu se njerëzit me plakje të përshpejtuar kanë tetë herë më shumë gjasa të kenë probleme me aktivitetet e përditshme dhe katër herë më shumë gjasa të përjetojnë rënie njohëse. Megjithatë, shkencëtarët vërejnë se këto lidhje janë asociative, jo shkakësore. Sidoqoftë, rezultatet nënvizojnë rëndësinë e investimit në barazinë shëndetësore në nivel global.