Samiti i planifikuar mes Donald Trump dhe Vladimir Putin në Budapest është pezulluar, ndërsa përpjekjet për të nisur negociata të vërteta për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë kanë ngecur.
Sipas burimeve diplomatike, gjatë një telefonate më 16 tetor, presidenti rus Vladimir Putin përsëriti kushtet e panegociueshme të Moskës: njohjen nga Kievi të kontrollit rus mbi të gjithë rajonin e Donbasit. Aktualisht, ushtria ruse kontrollon rreth 88% të këtij territori, përfshirë pjesë të distrikteve të Donetskut, Luganskut, Zaporizhias dhe Khersonit.
Kjo kërkesë do t’i jepte Rusisë rreth 12% shtesë të territorit të Ukrainës — një ultimatum që qeveria ukrainase e konsideron të papranueshëm.
Pavarësisht përpjekjeve të Trump dhe këshilltarëve të tij për të ringjallur dialogun, Uashingtoni ka kuptuar se Putini nuk ka ndryshuar qëndrim që nga takimi i tyre i fundit në Alaska më 15 gusht.
Në këto kushte, ideja e vetme që po diskutohet është ajo e “zgjidhjes koreane”: ndalimi i luftimeve përgjatë vijës aktuale të frontit, pa nënshkrimin e një traktati paqeje. Kjo do të nënkuptonte një armëpushim të pacaktuar, me rusët që do të mbanin nën kontroll territoret e pushtuara, por pa njohje zyrtare ndërkombëtare.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky duket se ka hequr dorë nga kërkesa për anëtarësimin e menjëhershëm të Ukrainës në NATO, pasi Trump e përjashtoi këtë mundësi nga dokumentet e Aleancës.
Një tjetër propozim, i mbështetur nga kryeministrja italiane Giorgia Meloni, parashikon që vendet perëndimore t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie të ngjashme me Nenin 5 të Traktatit të NATO-s. Megjithatë, Putin ka refuzuar çdo plan që lidhet me strukturën e Aleancës, duke e bërë të pamundur çdo progres diplomatik.
Top Channel