Autoritetet serbe kanë arrestuar në pikën kufitare të Mutivodës shtetasin nga Kosova, Osman Selmanin, nën dyshimet për krime lufte.
Sipas familjarëve, Selmani u ndalua më 1 korrik 2026, teksa po kthehej nga Medvegja drejt Kosovës. Ata bëjnë të ditur se ai aktualisht ndodhet në Beograd, ku po përballet me procedura nga Prokuroria serbe për Krime Lufte.
“Ju njoftojmë se babai ynë, Osman Selmani, është arrestuar në pikën kufitare Mutivodë, teksa po kthehej nga vendlindja e tij. Aktualisht ndodhet në Prokurorinë për Krime Lufte në Beograd, përballë akuzave të cilat ne, si familje, i konsiderojmë të pabazuara dhe të pavërteta”, thuhet në reagimin e familjes.
Ndërkohë, autoritetet serbe kanë konfirmuar arrestimin dhe kanë bërë të ditur se Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar Selmanit masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, ai dyshohet për përfshirje në krime lufte të kryera në qershor të vitit 1999 në Prishtinë.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se më 14 qershor 1999, në vendin Sofali të Prishtinës, në bashkëkryerje me disa pjesëtarë të UÇK-së, me armë të ftohta dhe armë zjarri, në mënyrë mizore dhe tinëzare, ua ka marrë jetën civilëve serbë, çiftit bashkëshortor Vlladimir dhe Persa Stanisavljeviq”, thuhet në njoftimin e autoriteteve serbe.
Familjarët e Selmanit kanë kërkuar mbështetje institucionale dhe trajtim të drejtë të rastit.
