Në sfondin e Akropolit dhe nën tingujt e këngës simbol të së majtës “Bella Ciao”, ish-kryeministri grek Aleksis Tsipras shpalli rikthimin e tij në arenën politike, duke prezantuar forcën e re që synon të sfidojë qeverinë e Kyriakos Mitsotakis në zgjedhjet e ardhshme.
Tsipras, që dha dorëheqjen nga partia Syriza vitin e kaluar, para një turme të madhe mbështetësish në sheshin e Thiseios, prezantoi programin dhe shtatë angazhimet themelore të partisë së tij të re. Mesazhi i parë dhe ndoshta më karakteristik i programit kishte të bënte me një angazhim për një jetë me dinjitet, për mbrojtjen nga shtrenjtësia, për paga dinjitoze, mbështetjen e punëtorëve përballë arbitraritetit dhe abuzimeve të punëdhënësve, për përfshirje dhe barazi të plotë gjinore, për pjesëmarrje të barabartë të personave me aftësi të kufizuara, për barazi dhe garantimin e të drejtave të komunitetit LGBTI+, për një politikë ndryshe migracioni dhe ky fragment në tërësi pritet të jetë një nga më të debatuarit në skenën politike greke.
Aleksis Tsipras, lideri i ELAS: “Për një politikë migracioni që garanton njëkohësisht sigurinë e kufijve, pritjen humane dhe përfshirjen e barabartë të refugjatëve dhe emigrantëve në arsim dhe në tregun e punës.”
Në pikat e tjera, lideri i forcës së re politike greke premtoi forcimin e demokracisë dhe transparencës, një model të ri ekonomik me theks te prodhimi vendas dhe bujqësia, shtetin social me akses më të madh në shëndetësi, arsim dhe strehim, mbrojtje nga krizat energjetike dhe ndryshimet klimatike, si dhe investime në teknologji, siguri kibernetike dhe transformim digjital.
Në planin politik, Tsipras u përpoq të paraqitet si mbrojtës i shtresave të mesme dhe të dobëta, duke sulmuar pabarazitë sociale, varfërinë, kartelet dhe monopolet ekonomike. Në politikën e jashtme, ai kërkoi një Greqi me rol më aktiv diplomatik, të bazuar në të drejtën ndërkombëtare, mbrojtjen e sovranitetit kombëtar dhe iniciativa për paqe në rajon dhe më gjerë.
Në fund të aktivitetit, një vajzë e vogël i dorëzoi simbolikisht emrin e forcës së re politike: ELAS – Aleanca e Majtë Greke. Vetë Tsipras e prezantoi partinë e re si një bashkim të së majtës radikale, socialdemokracisë dhe ekologjisë politike, me synimin për të krijuar një shumicë të re progresiste në vend.
Rikthimi i Aleksis Tsipras vjen në një moment kur sondazhet e publikuara deri dje e rendisnin formacionin e ri politik në vendin e dytë, duke e kthyer menjëherë atë në protagonistin kryesor të opozitës dhe në sfiduesin më serioz të qeverisë greke për periudhën e vrullshme zgjedhore që po vjen.
