Një kthesë e papritur ka ndodhur në çështjen gjyqësore ndaj Lindsay Clancy, e akuzuar për vrasjen e tre fëmijëve të saj në Massachusetts, pasi avokati i saj ka ndryshuar strategjinë e mbrojtjes.
Gjatë seancës së së martës, avokati argumentoi se prokuroria nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme që lidhin Clancy me vrasjet. Ai vuri në pikëpyetje veçanërisht provat e ADN-së dhe gjurmët e gishtërinjve, duke i cilësuar ato si “jashtëzakonisht të pamjaftueshme”.
“Ku janë provat se ajo e bëri këtë?”, pyeti avokati gjatë seancës.
Clancy, 36 vjeçe dhe ish-infermiere, akuzohet se më 24 janar 2023 vrau tre fëmijët e saj: Corën 5 vjeçe, Dawson 3 vjeç dhe Callan 8 muajsh. Sipas akuzës, ngjarja ndodhi në bodrumin e banesës së familjes në Massachusetts. Ajo përballet me tre akuza për vrasje të shkallës së parë.
Kjo qasje ndryshon nga linja që mbrojtja kishte ndjekur gjatë procesit të parë gjyqësor, i cili zgjati rreth gjashtë javë dhe përfundoi pa një vendim përfundimtar.
Në atë proces, mbrojtja nuk e kundërshtonte faktin se Clancy kishte vrarë fëmijët, por argumentonte se ajo nuk duhej të mbante përgjegjësi penale për shkak të gjendjes së rëndë psikike në momentin e ngjarjes.
Sipas versionit të paraqitur atëherë, Clancy kishte përjetuar psikozë të rëndë pas lindjes dhe kishte pasur halucinacione. Ajo kishte deklaruar se dëgjonte një zë që e urdhëronte të vriste fëmijët dhe më pas veten.
Avokati shpjegoi se vendimi i gjykatës për të mos e ndarë procesin në dy faza e kishte vendosur mbrojtjen përballë një dileme: për të argumentuar mungesën e përgjegjësisë penale për shkak të gjendjes mendore, duhej të pranonte se klientja e tij kishte kryer vrasjet.
Tashmë mbrojtja po sfidon vetë lidhjen e Clancy me krimin dhe pretendon se hetimi policor ka qenë i mangët.
Prokuroria e ka kundërshtuar këtë version, duke argumentuar se gjatë procesit janë paraqitur prova të shumta që lidhen me vrasjet dhe se pretendimi për mungesë provash nuk përputhet me materialin e shqyrtuar në gjykatë.
Procesi gjyqësor përfundoi në ngërç dhe ende nuk është vendosur nëse prokuroria do të kërkojë një rigjykim. Ndërkohë, gjykata pritet të shqyrtojë edhe kërkesat e Clancy për rrëzimin e akuzave.
Mbrojtja ka bërë të ditur se nuk do të jetë e gatshme për një proces të dytë përpara qershorit. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 2 nëntor, kur mund të përcaktohen hapat e mëtejshëm të çështjes.
