Elon Musk ka deklaruar se planifikon të paraqesë një kërkesë për kujdestari të plotë të djalit të tij 1-vjeçar, pas deklaratave publike të nënës së fëmijës, Ashley St. Clair, në mbështetje të komunitetit transgjinor.

Miliarderi amerikan e bëri të ditur qëndrimin e tij përmes një postimi në platformën X, ku shkroi se do të kërkojë kujdestarinë e plotë, duke argumentuar se komentet e St. Clair ngrenë shqetësime për mënyrën se si ajo mund ta rrisë fëmijën. Reagimi i Musk erdhi si përgjigje ndaj një ndjekësi që e nxiste të merrte përsipër kujdesin e plotë të të birit.

Sipas mediave amerikane, nuk ka prova që St. Clair të ketë deklaruar ndonjëherë se do ta inkurajonte fëmijën e saj të ndryshonte gjini. Megjithatë, ajo kohët e fundit ka kërkuar ndjesë publike për deklarata të mëparshme kritike ndaj personave transgjinorë, duke shprehur pendesë dhe gatishmëri për të mësuar dhe për të mbështetur komunitetin që thotë se ka lënduar.

Ashley St. Clair bëri publike vitin e kaluar se kishte lindur fëmijën e 13-të të Elon Musk. Para kësaj, ajo ishte e njohur si influencuese me pikëpamje konservatore dhe shpesh provokuese.

Në reagimet e saj në rrjetet sociale, St. Clair iu referua edhe Vivian, një prej fëmijëve të Musk, e cila doli publikisht si transgjinore në vitin 2022, duke theksuar se ndihet fajtore për deklaratat e së kaluarës dhe se po përpiqet të mbështesë më mirë komunitetin transgjinor.

Deri tani, nuk ka konfirmim zyrtar nëse Musk ka depozituar formalisht kërkesën për kujdestari në gjykatë.