Një histori e rëndë abuzimi ka dalë në dritë në Itali, ku 29-vjeçarja Maila Micheli ka rrëfyer se si u detyrua nga nëna e saj të hynte në prostitucion që në moshën 14-vjeçare. Në dëshminë e saj, Maila tregon se gjithçka nisi gradualisht, duke u përballur çdo javë me situata të rënda dhe të dhimbshme.
“Kaloja çdo të hënë me një burrë më të madh në moshë. Ai më neveriste. Më rridhte gjak në dush duke u fërkuar, ishte e vetmja mënyrë që ndihesha më e pastër”-, rrëfen ajo.
Sipas saj, nëna kishte ushtruar presion psikologjik që në moshë të vogël, duke i treguar fotografi të papërshtatshme dhe duke e bindur për fitimet që sillte prostitucioni. Maila kujton momentet e dëshpërimit të thellë:
“Isha e bindur se do t’i jepja fund jetës sime, nuk mund ta duroja më”.
Një nga episodet më të rënda, sipas saj, ishte kur nëna e bindi të publikonte një njoftim në gazetë me një identitet të rremë, duke ofruar shoqëri për të rritur. Tarifat, sipas Mailës, ishin vendosur nga vetë nëna: 80, 100 dhe 200 euro, në varësi të kërkesave të klientëve. Ajo thekson se ndjenja e tradhtisë ishte e thellë, pasi bëhej fjalë për personin që duhej ta mbronte.
“Nuk e mendon kurrë që nëna jote do të të bëjë diçka të tillë”, shprehet ajo.
Maila rrëfen gjithashtu se në një moment kishte tentuar t’i jepte fund jetës, por u shpëtua nga qeni i saj.
“Nëse jam këtu sot, është falë saj”, përfundon ajo./ Top Channel
