Në një veprim të pazakontë dhe kundër traditës amerikane për të mbajtur të fshehta lëvizjet e forcave bërthamore, Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur publikisht se ka urdhëruar dërgimin e dy nëndetëseve bërthamore amerikane në “rajone të përshtatshme”. Deklarata e tij erdhi si kundërpërgjigje ndaj komenteve provokuese të ish-presidentit rus Dmitry Medvedev, të cilat Trump i quajti “budallallëqe dhe nxitëse”.
Gjatë një deklarate përpara nisjes për fundjavë me helikopter nga Uashingtoni, Trump u shpreh: “Një ish-president rus na kërcënoi. Ne do t’i mbrojmë qytetarët tanë. Nëse Medvedev po flet për armë bërthamore, Amerika duhet të jetë gati. Dhe ne jemi plotësisht të përgatitur”. Megjithatë, ai nuk sqaroi se për cilat nëndetëse bëhej fjalë, ku janë dërguar ose nëse mbajnë realisht armë bërthamore.
Medvedev nuk nguroi të përgjigjej, duke e provokuar Trumpin me një koment ironik: “Ku i keni dërguar këto nëndetëse, në ishullin Epstein?”. Reagimi i Trumpit ndaj kësaj deklarate pritet me interes.
Përplasjet mes Trump dhe Medvedev nuk janë të reja. Tensioni u rrit ndjeshëm kur Medvedev, dikur i konsideruar si politikan i moderuar në Perëndim, e kërcënoi hapur Amerikën me konflikt ushtarak, duke reaguar kundër sanksioneve të ashpra që Trump kishte paralajmëruar kundër Rusisë. Në përgjigje, Trump e quajti Medvedevin “një ish-president i dështuar i Rusisë” dhe shtoi se ishte “shumë i zhgënjyer nga Putini”.
Deklarata për lëvizjen e nëndetëseve bërthamore erdhi pas këtyre shkëmbimeve të ashpra dhe përfaqëson një shkallëzim të retorikës së Trump ndaj Moskës.
Reagimet në Shtetet e Bashkuara ndaj vendimit të Trumpit kanë qenë të ndara. John Bolton, ish-këshilltari i tij për sigurinë kombëtare dhe një nga kritikët më të ashpër të tij, tha për CNN se një veprim i tillë nuk kishte kuptim strategjik: “Një numër i mjaftueshëm nëndetësesh janë tashmë atje për të garantuar një kundërsulm bërthamor në rast nevoje. Shpresojmë që ato të mbeten të pazbuluara”.
Ndërkohë, ish-sekretari i Mbrojtjes dhe ish-drejtori i CIA-s në administratën Obama, Leon Panetta, e mbështeti qasjen e Trump: “Është mesazhi i duhur për Putinin, që shpesh kërcënon në mënyrë të papërgjegjshme me armë bërthamore”.
Nga ana tjetër, Wesley Clark, ish-komandanti i NATO-s në Evropë, e kritikoi hapur veprimin e Trumpit: “Nëse Trump kërcënon me armë bërthamore ashtu si Putini, kjo vetëm sa rrit frikën dhe i shërben interesave të Rusisë. Ai mendon se kështu duket i fortë, por realisht e dëmton SHBA-në”.
Clark theksoi se më efektive do të ishte që Trump të shtonte ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke i treguar Putinit se fitorja kundër Ukrainës nuk është e mundur.
Ndryshe nga Medvedev, presidenti rus Vladimir Putin reagoi me ton më të qetë ndaj kërcënimeve të Trumpit. Ai tha se “zhgënjimet vijnë nga pritjet e ekzagjeruara” dhe shtoi se një zgjidhje paqësore kërkon negociata të drejtpërdrejta dhe pa zhurmë publike – proces që, sipas tij, ende nuk ka nisur.
Ndërkohë, Trump ka shtuar retorikën e tij kundër Moskës gjatë javëve të fundit, duke e quajtur Putinin “të çmendur” dhe duke dënuar ashpër sulmet ruse në Ukrainë, të cilat i përshkroi si “të neveritshme”.
Ndërsa përplasjet verbale vazhdojnë, mbetet për t’u parë nëse ky tension do të ketë pasoja konkrete në terren, apo do të mbetet vetëm në nivel retorik./DW
