Në vitin 1989, nëndetësja sovjetike Komsomolets u fundos në Detin Norvegjez, pranë brigjeve të Norvegjisë. Katër vjet më vonë, BBC raportoi për planet e shkencëtarëve për të izoluar silurat bërthamore të saj, të cilat përmbanin plutonium shumë toksik.
“Komsomolets është një bombë me sahat që vazhdon të numërojë sekondat në fund të Detit Norvegjez. Nëse nuk ndërmerret diçka dhe shpejt, të gjithë jemi në rrezik.”
Kështu e përshkruante situatën në një raport të BBC-së të vitit 1993 aktivisti rus i Greenpeace, Dimitri Litvinov.
Nëndetësja ndodhet rreth 1.600 metra nën sipërfaqen e detit, ku u fundos pas një zjarri që shpërtheu katër vite më parë. Brenda saj ndodhen dy silura me mbushje bërthamore, të cilat me kalimin e kohës po korrodohen, duke rrezikuar çlirimin e rreth 4 kilogramëve plutonium në ujërat e Detit Norvegjez.
Një armë sekrete e Bashkimit Sovjetik
“Komsomolets” konsiderohej një nga projektet më të avancuara të teknologjisë ushtarake sovjetike. Ajo ishte projektuar për të operuar në thellësi shumë më të mëdha se çdo nëndetëse tjetër e kohës dhe NATO besonte se do të ishte prototipi i një klase të re nëndetësesh sulmuese.
Megjithatë, asnjë njësi tjetër nuk u ndërtua. Sipas dokumentarit BBC Horizon të vitit 1994:”Komsomolets ishte menduar të ishte arma sekrete dhe e pathyeshme e Bashkimit Sovjetik, e vetmja nëndetëse në botë e aftë të lundronte dhe të lëshonte raketa bërthamore nga një thellësi prej 1.000 metrash, dyfish më e madhe se ajo ku mund të operonin nëndetëset perëndimore. Sot, Komsomolets përfaqëson një katastrofë teknike dhe shkencore.”
Tragjedia e vitit 1989
Më 7 prill 1989, në bord shpërtheu një zjarr. Ekuipazhi arriti ta sillte nëndetësen në sipërfaqe, por pas rreth pesë orësh ajo u fundos. Nga 69 anëtarë të ekuipazhit, 42 humbën jetën.
Gjatë fundosjes, kapsula e shpëtimit arriti të nxirrte në sipërfaqe pesë marinarë që kishin mbetur të bllokuar. Megjithatë, vetëm njëri prej tyre mundi të dilte nga kapsula përpara se ajo të mbushej me ujë.
Rreziku bërthamor
Kur nëndetësja preku fundin e detit pranë brigjeve norvegjeze, një shpërthim dëmtoi trupin prej titani të saj, duke lejuar depërtimin e ujit të detit deri te silurat bërthamore.
Një ekspeditë kërkimore e oqeanografëve rusë konstatoi se pjesë të trupit të nëndetëses ishin “çarë dhe copëtuar nga shpërthimi, si të ishin prej qelqi”.
Pas katastrofës, ekspertët nuk ranë dakord mbi mënyrën se si duhej vepruar.
Igor Spassky, shkencëtar i Institutit Rubin – institucioni që projektoi “Komsomolets” – deklaroi për BBC-në në vitin 1993 se situata nuk ishte ende katastrofike, megjithëse ai mbështeste nxjerrjen e nëndetëses nga fundi i detit.
Në një deklaratë për Institutin Detar Amerikan, ai paralajmëroi:
“Brenda një dekade, dy kokat bërthamore të nëndetëses do të jenë korroduar plotësisht si rezultat i reaksioneve elektrokimike me ujin e kripur. Si pasojë, plutoniumi shumë toksik do të dalë nga silurat e dëmtuara dhe do të përhapet në mjedisin detar.”
Paralajmërimi ngriti shqetësime serioze për ndotjen radioaktive të Detit Norvegjez dhe pasojat afatgjata që një rrjedhje e plutoniumit mund të kishte për ekosistemin dhe vendet e rajonit.
